SINANI: INSTITUCIONET LOKALE KANË DËSHTUAR TË MENAXHOJNË SITUATËN GJATË PANDEMISË COVID19

Kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani, përmes një konference për media në selinë qendrore të PVD-së, ka shprehur shqetësimin me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid19 nga ana e Komunës së Preshevës.


Sinani në këtë konferencë ka thënë se Komuna e Preshevës dhe institucionet përgjegjëse lokale kanë dështuar në kryerjen e obligimeve të veta njerëzore, moral e ligjore për ta mbrojtur popullatën e Preshevës në këtë situatë.

“Heshtja, mosangazhimi dhe padituria e pushtetit lokal, rrit edhe më tepër shqetësimin, mosbesimin dhe pasigurinë tek qytetarët tanë.” ka thënë mes tjerash Sinani gjatë kësaj konference për media.

Ajo ka ofruar ndihmën e profesionistëve të PVD-së për të bashkëpunuar me qeverisjen lokale në themelimin e një grupi ekspertësh dhe përpilimin e një strategjie për luftimin e pandemisë Covid19 në vend.

“Institucionet përgjegjëse lokale ishte dashur të ndërmarrin masa parandaluese sikurse që ka ndodhur në komunat tjera në rajon, e që për fat të keq nuk shihet asnjë hap konkret i ndërmarrë nga ky pushtet lokal në komunën tonë.” ka shtuar Sinani.

Në fund të konferencës ajo ka shfrytëzuar momentin për të falënderuar për ndihmat dhe kujdesin e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha organizatat dhe individët që ndihmuan popullatën e Preshevës dhe tërë Luginës gjatë kohës së pandemisë.

Përveç situatës së krijuar me pandeminë Covid19, Sinani adresoi edhe keqmenaxhimet dhe keqpërdorimet e pushtetit lokal në ndërtimin e “Parkut të fëmijëve”, projekt për të cilin edhe muaj më parë ishin arrestuar disa persona nga punëkryesi, organi mbikqyrës dhe anëtarë të Komisionit për prokurime publike të Komunës së Preshevës. 

“Jo serioziteti, mos transparenca, mashtrimi dhe amullia e pushtetit lokal e krijuar me donacionin prej 112 mijë Euro, të ndara nga qeveria Haradinaj për ndërtimin e parkut në hyrje të qytetit të Preshevës, e shtojnë edhe më tepër dyshimin tonë në keq menaxhimin dhe keqpërdorimin e atyre mjeteve pikërisht nga pushteti lokal i komunës së Preshevës, ku rezultoi me arrestimin e personave të afërt me kryetarin e komunës që dëshmojnë në  ngritjen e zërit dhe shqetësimet tona të përsëritura për vjedhje, keqpërdorim dhe katrahurën me paratë e taksapaguesve të buxhetit komunal!” tha Sinani gjatë konferencës. 

Ajo në fund kërkoi nga qytetarët të tregojnë seriozitet duke  i inkurajuar që të bashkuar dhe pa panik, duke ndjekur këshillat e profesionistëve dhe me ndihmën e Zotit ta tejkalojmë këtë situatë!

Më poshtë mundeni ta ndjekni konferencën e plotë për media:

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”