Shqipëria voton: Deri më tani kanë votuar 13.59% e votuesve të regjistruar, probleme në 532 qendra votimi

Foto: Top Channel

Sot mbahen zgjedhjet vendore në vendin tonë, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.


Të dhëna nga KQZ tregojnë se deri më tani, nga hapja e procesit të votimit që pjesëmarrja është 13.59%. Pjesëmarrjen më të lartë e shënon Pusteci, ndërsa pjesëmarrjen më të ulët Vlora.

Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.

Në Shqipëri janë 3.650.550 zgjedhës me të drejtë vote, ndërsa 122.545 janë votues për herë të parë. Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Katërdhjetë e katër parti janë regjistruar në zgjedhje nga të cilat 38 janë jashtë koalicioneve. Dy koalicione janë në zgjedhje, “Bashkë Fitojmë” me kryetar Ilir Metën dhe “Aleanca Liberale e Djathtë” me kryetar Artur Roshin.

Këtë të diel garojnë 144 kandidatë për kryetar bashkie, kurse për këshilla bashkiakë garojnë 23.762 kandidatë. Votimi dhe numërimi elektronik do të zbatohet në tre bashki me 401 qendra votimi.

“Probleme në 532 qendra votimi”, Celibashi: Kemi bërë sa kemi pasur mundësi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi doli në një deklaratë në mediat ku komunikoi se në 205 qendra votimi pajisja e identifikimit elektronik është e konfiguruar, por s’mund të marrim automatikisht në kohë reale informacion prej tyre.

Ai sqaroi se në 532 qendra votimi nuk kanë marrë asnjë informacion.

“Që do të thotë, ose në të gjitha këto qendra votimi PEi nuk funksionon, funksionon pjesërisht, ose funksionon plotësisht, por ne këtë të dhënë nuk e kemi nëpërmjet sistemit dhe jemi duke komunikuar me këto qendra votimi, si me operatorët, ashtu dhe me anëtarët e komisionit të qendrës së votimit për të ditur nëse aty procesi është duke u zhvilluar nëpërmjet PEi-t apo manualisht. Pra, me pak fjalë, janë 532 qendra votimi për të cilat, presupozohet në rastin më të keq të themi që identifikimi aty nuk po bëhet nëpërmjet pajisjes elektronike të identifikimit. E kuptojmë shumë mirë gravitetin dhe rëndësinë e kësaj problematike, por kjo është situata. Jemi përpjekur të korrigjojmë aq sa objektivisht ka qenë e mundur në kohë dhe me resurset njerëzore që kemi pasur për të ndryshuar situatën,” – u shpreh Celibashi.

Ai sqaroi se do të presin një farë kohe me shpresën që kjo gjë do të rregullohet.

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë