Bazuar në kërkesën e APN-së, kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, ka ftuar seancë të jashtëzakonshme për të shkarkuar kryetaren e Preshevës.
Ditën e premte, Alternativa për Ndryshim përmes një kërkese të nënshkruar nga 14 këshilltarë të Kuvendit të Komunës së Preshevës, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të shkarkuar kryetaren e Preshevës Ardita Sinani.
Pak orë pas dorëzimit të kërkesës, kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, ka ftuar seancë të jashtëzakonshme për të hënën (11.04.2022) me fillim në ora 10:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës.
Shqiprim Arifi, kryetari i APN-së, njëherit edhe iniciatori i seancës, ka thënë për Gazetën Express se partia e tij e ka siguruar “shumicën absolute” për ta marrë sërish udhëheqjen e Komunës.
“Të hënën më 11.04.2022 janë konvokuar punimet e seancës së tretë të rradhës, ku është paraparë shkarkimi nga posti i kryetarës së Komunës. Nga 38 këshilltarë që i numëron Kuvendi i Komunës së Preshevës, së bashku me partnerin e ardhshëm qeverisës kemi shumicën absolute për të udhëhequr me pushtetin lokal në Preshevë”, ka thënë Arifi për Gazetën Express.
Derisa Sami Salihu dhe Lëvizja për Reforma asnjë moment nuk janë deklaruar në lidhje me situatën politike të krijuar së fundmi, është e mundur që seanca e planifikuar për nesër mundet të shtyhet ose të mos mbahet. Kjo si pasojë e takimit të ftuar nga kryeministri Kurti me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, përmes një postimi në faqen e saj në rrjetin shoqëror facebook, ka njoftuar se ka kërkuar shtyerjen e seancës së ftuar për nesër.
“Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë.” ka shkruar Sinani mes tjerash në njoftimin e publikuar në facebook.
PreshevaPRESS mëson se përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës janë ftuar për takimin e nesërm të thirrur nga Kurti, përmes një mesazhi të dërguar rreth orës 17:00 nga asistentja e kryeministrit Kurti, Arta Berisha.