Kuvendi i Kosovës sot po mban seancë për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Një ekip i mjekëve është parë të ketë arritur herët në mëngjes në hapësirat e Kuvendit të Kosovës për të kontrolluar secilin deputet para se të futen në sallën kryesore të Kuvendit, aty ku edhe pritet të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Pak minuta para fillimit të seancës së Kuvendit ka folur edhe Isa Mustafa.Ai ka shkruar se mocioni është instrument demokratik.
“Jemi të vetëdijshëm edhe për këtë situatë të Coronavirusit, por këtë e ka zgjedhur dhe e ka shkaktuar z. Kurti dhe jo LDK-ja në asnjë rast dhe me asnjë veprim.
Ministrat tanë do të bëjnë punën për aq sa u krijon hapësirë z.Kurti që ta përballojmë luftën me këtë virus”, ka shkruar Isa Mustafa.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka dhënë arsyetimin e LDK-së për ngritjen e mocionit ndaj Qeverisë Kurti. Gashi ka thënë se arsyet kryesore që çuan drejt këtij mocioni kanë të bëjnë me mos heqjen e taksës dhe rrezikim i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arben Gashi si arsye tjetër ka përmendur mënyrën se si është shkarkuar ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliun.
Shefat e grupeve parlamentare të të gjitha partive kanë konfirmuar se janë pro rrëzimit të qeverisë Kurtit, me përjashtim të LVV-së si dhe disa deputetëve në LDK. Kujtojmë se kjo seancë po përcillet me tensione të ndryshme, akuza, replika e kundër-replika mes deputetëve.
Ndryshe, rrëzimi i Qeverisë Kurti në mënyrë të tërthortë është përkrahur edhe nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili tha se është i kënaqur me nismën e Kuvendit për të rrëzuar Qeverinë dhe për të respektuar Kushtetutën.