Partia Demokratike Shqiptare në Preshevë, sot me fillim në orën 16:00 në hapësirat e saja ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me arrestimet e djeshme në Preshevë.
Para medieve u paraqit Ilir Sadriu – nënkryetar i PDSH-së, i cili hapi konferencën për media duke akuzuar Kryetarin e komunës së Preshevës si fajtorin kryesor për keq menaxhimet e buxhetit, gjë edhe për të cilën u arrestuan tetë persona.
“Qeverisja mashtruese, e cila erdhi në pushtet nën petkun e ndryshimit, me veprimet e saja bëri që për herë të parë në historinë e komunës së Preshevës, të arrestohen zyrtarë komunal, ndërsa fajtori kryesor,misionari, kryetari i komunës u la anash dhe i paprekur” tha Sadriu gjatë kësaj konference për media.
Ai gjatë kësaj konference zbuloi se pjesë e këtyre arrestimeve janë edhe dy nënkryetarët e Alternativës për Ndryshim, njëri në cilësinë e ndërmarrësit përfitues në tenderin e parkut të paqes, ndërsa tjetri në cilësinë e anëtarit të komisionit për prokurime publike dhe pjesë e kabinetit të komunës.
“Vulën edhe nënshkrimin e këtyre malverzimeve dhe ndarjen e këtij tenderi, e mban kryetari i Alternativës për Ndryshim, njëherë kryetari i Komunës së Preshevës” tha Ilir Sadriu. Ai mes tjerash tha se projekti “Parkun e paqes” nga këto publikime që dolën nga arrestimet e djeshme po del të jetë “Parku i hajnisë”.
Sadriu tha se i pari i Preshevës, në vitin 2019 ka nënshkruar dy kontrata të reja për një projekt të kontraktuar në vitin 2018.
“Njërën kontratë e ka nënshkruar më 08.08.2019 për nënkryetarin e partisë së vet, ndërsa tjetrën më 29.03.2019 për një aktivist partiak si ofertues i përbashkët me një kompani nga Piroti” tha Sadriu.
Nënkryetari i PDSH-së, Ilir Sadriu nga kjo konferencë për medie, i bëri thirrje “zërave të arsyeshëm brenda APN-së” siç i quajti ai, të cilët kanë pasur kujdes me gjuhën e tyre, për dallim nga kryetari i APN-së, të reflektojnë, të distancohen dhe të ndahen nga kjo e keqe që po ngjan, me nëpërkëmbjen e resurseve njerëzore dhe materiale në komunën e Preshevës.