Përveç me AAK’në e Ramush Haradinajt, ekzekutivi i udhëhequr nga LDK’ja është duke pasur probleme edhe me Nismën Socialdemokrate. Ministri i këtij subjekti, Skender Reçica ka treguar se ku nisën pakënaqësitë në mes të partnerëve, shkruan Gazeta Express.
Qeveria në krye me Avdullah Hotin ka një kohë që është duke pasur probleme me AAK’në që kishin nisur qysh prej herës së parë kur Kosova u rikthye në dialogun e Brukselit.
Përplasja që vazhdoi pastaj edhe me propozimin e Ramush Haradinajt për president, si dhe me vizitën e Uashingtonit, ku edhe u nënshkrua marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë vetëm se i ka acaruar marrëdhëniet sidomos pas përfshirjes së pikës për liqenin e Ujmanit.
Derisa ky ekzekutiv ka mbetur në Kuvend pa 61 vota që i duhen për të kaluar ligje pas arrestimit të deputetit Etem Arifi, në media është raportuar për takime LDK-PDK që mund të qonin në një bashkim të partisë së Kadri Veselit në koalicion. Të paktën zyrtarisht nga dy subjektet kanë mohuar çdo formë bashkëpunimi e takimi.
Përfshirja e PDK’së në Qeveri ani se mund të ia sigurojë votat që i duhen për të pasur shumicën koalicionit, nuk dihet se si do të pritet nga AAK’ja e Nisma.
Këta të fundit kanë treguar për pakënaqësitë që kanë pasur me Qeverinë, duke thënë se të njëjtët kanë injoruar kërkesat e tyre.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se ekzekutivi nuk i ka përfshirë Nismat Ligjore të MPMP-së në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuara për vitin 2021-2023. Për këtë arsye, ky subjekt nuk e ka votuar këtë kornizë.
Reforma Pensionale, Ligji për Pushimin e Lehonisë dhe Ligji i punës, janë vetëm disa nga çështjet që MPMS i ka adresuar e që nuk janë përfshirë në KASH.
Reçica, thotë se në këtë dokument, i cili është kryesori sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë.
“Unë bashkërisht edhe me kolegët e mi në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e nismës nuk e kemi votuar këtë kornizë për faktin se në këtë dokument i cili është dokumenti kryesor sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë. Bëhet fjalë për reformën pencionale, ligjin për pushimin e lehonisë, ligjin e punës dhe çështje të tjera të cilat ne i kemi iniciuar në kuadër të agjendës legjislative dhe pikërisht për këtë për shkak të mosakomodimit nuk e kemi votuar. Ne kemi kërkuar që të gjendet një hapësirë e akomodimit të këtyre nismave ligjore në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e cila pastaj i hap rrugë draftimit të tyre”, thotë ai.
Nuk është hera e parë që anëtarët e Qeverisë nuk kanë qenë unik në votime. Ministrat e AAK’së nuk e kanë votuar javë më parë propozimin që koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni të paguhet sa një zëvendësministër.