PVD për zgjedhjet parlamentare: I rëndësishëm bashkërendimi dhe koordinimi me partnerët politik në Luginë

Partia për Veprim Demokratik ka mbajtur mbledhjen e parë të kryesisë të posazgjedhur, gjatë së cilës është analizuar gjendja politike e sociale në Luginë.


Kryesia e përgjithshme e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar situatën dhe zhvillimet e reja politike rreth shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për 17 dhjetor.

Në kumtesën e lëshuar pas mbledhjes, thuhet se PVD është e vetëdijshme për situatën e rëndë që vjen si pasojë e diskriminimit dhe shtypjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Përmes kësaj kumtese, PVD ka shfrytëzuar rastin të e falenderojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, për ndarjen e Fondit të veçantë për Luginë të Preshevës.

Sa i përket zgjedhjeve parlametare të shpallura për 17 dhjetor, në kumtesën e PVD-së, nuk përmendet listë e përbashkët me të gjitha partitë shqiptare.

Në vazhdim deklarata e plotë e kryesisë së PVD-së, pas mbledhjes së kryesisë së përgjithshme:

Kumtesë e Kryesisë së përgjithshme të Partisë për Veprim Demokratik

Kryesia e Përgjithshme e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar situatën dhe zhvillimet e reja politike rreth shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për 17 dhjetor.

Kryesia e PVD-së me këtë rast, falenderon Qeverinë e Republikës së Kosovës, për ndarjen e Fondit të veçantë për Luginë të Preshevës, duke e konsideruar si veprimin më konkret për të ndihmuar nevojat e shqiptarëve në këtë rajon.

PVD është e vetëdijshme për situatën e rëndë që vjen si pasojë e diskriminimit dhe shtypjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në këto rrethana të rënda politike e ekonomike, kur përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka per qëllim dekurajimin e elektoratit të shqiptarëve për pjesmarrje në zgjedhje, PVD konsideron të domosdoshëm unifikimin e faktorit politik shqiptarë si përgjigjen e duhur të mos nënshtrimit dhe mosdorëzimit ndaj represionit shtetëror serb që po thellohet për ditë duke përdorur të gjitha mekanizmat e mundshëm shtetëror.

Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, edhe në këto rrethana, ka vendosur që të marr pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe ka deleguar kryetarin e partisë si kandidat të PVD-së për deputet, sepse vlerëson se rezistenca aktive politike materializohet duke u dëgjuar zëri i shqiptarëve në çdo instancë të mundshme.

Kryesia e PVD ka diskutuar për rëndësinë e përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve të Luginës dhe rëndësinë e bashkërendimit dhe koordinimit me partnerët e sajë politik në Luginë të Preshevës.

Preshevë, 04 nëntor 2023

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”