Pas tri ditë takimesh dhe diskutimesh mes tri partive shqiptare në Preshevë, PVD, PDSH dhe LR, për të u bashkuar në rrëzimin e qeverisjes së Shwiprim Arifit, ende nuk është arritur ndonjë kompromis.
Partia për Veprim Demokratik gjatë ditës së sotme ka realizuar shumë takime me Ragmi Mustafën e PDSH-së dhe Sami Salihun e LR-së për të diskutuar mundësitë për krijimin e një shumicë të re për të qeverisur me Preshevën por pa rezultate konkrete.
Pas të gjithë takimeve, PVD ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së degës së Preshevës, dhe mbledhjen e kryesisë së përgjthshme të PVD-së në të cilat siçmëson PreshevaPRESS janë diskutuar mundësitë ekzistuese për shkarkimin e Shqiprim Arifit nga posti i kryetarit të Komunës.
Partia Demokratike Shqiptare ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së sajë, me ç’rast në funksion të themelimit të një shumice të re, ka vendosur të heq dorë nga posti i kryetarit të Preshevës, duke i lënë mundësinë PVD-së dhe LR-së të gjejnë kompromis për arritjen e një marrëveshje finale për rrëzimin e Shqiprim Arifit.
Edhe pse nuk ka pasur ndonjë komunikatë për publikun nga ana e PVD-së për të njoftuar opinionin me vendimet e marra, PreshevaPRESS nga burimet e saja brenda kësaj partie ka mësuar se është arritur progres në bisedimet me partitë e tjera, por që nuk është i mjaftushëm për arritjen e një marrëveshje finale.
Me këtë rast, PreshevaPRESS ka mësuar se PVD, gjatë ditës së nesërme do të inicojë thirrjen e seancës për shkarkimin e Shqiprim Arifit nga kryetari i Komunës së Preshevës, me ç’rast do të kërkojë përkrahjen e PDSH-së dhe LR-së.
PreshevaPRESS do të ju informojë vazhdimisht me të rejat e fundit që po ndodhin nga momenti në moment pasi që po i afrohemi limitit kohorë për mbajtjen e seancës së Kuvendit Komunal në Preshevë, seancë e cila i vazhdon mandatin përbërjes aktuale të kësaj legjislature.