PVD FILLON FUSHATËN, ARDITA SINANI KANDIDATE PËR KRYETARE TË KOMUNËS

Dega e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë në përbërje të zgjëruar.


Dega e PVD-së në Preshevë, gjatë mbrëmjes së sotshme ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së saj në përbërje të zgjëruar, ka njoftuar përmes një komunikate në faqen e partisë në facebook.

Sot, kryesia e Degsës së PVD-së në Preshevë, ka kandiduar kryetaren e degës, Ardita Sinani, për kandidate për kryetare të Komunës të Preshevës, në zgjedhjet e parakohshme lokale, që priten të zhvillohen në pjesën e parë të vitit 2021.

PreshevaPRESS ka kontaktuar me disa anëtarë të kryesisë së PVD-së, shumica nga të cilët kanë hezituar të flasin në detaje për diskutimin në mbledhje, por kanë thënë se është vlerësuar situata momentale politike në vend dhe obligimet e kësaj partie në fillimin e fushatës parazgjedhore.

“Në mbledhjen e mbrëmjes së sotshme në përbërje të kryesisë së zgjëruar, përveç zgjedhjeve të parakohshme lokale, është diskutuar edhe analizuar gjendja momentale politike në Preshevë, drejtimin e PVD-së në të ardhmen dhe qëndrimin e kësaj partie rreth situatës politike deri në zhjedhjet e parakohshme që priten të mbahen së shpejti në Preshevë” tha për PreshevaPRESS njëri nga të pranishmit në këtë mbledhje në kushte anonimiteti.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme lokale priten të mbahen gjatē pjesës së parë të vitit 2021 dhe ato duhen të shpallen nga kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Në vazhdim ju sjellim komunikatën e plotë të PVD-së të publikuar në rrjetin social facebook:

ARDITA SINANI, KANDIDATE PËR KRYETARE TË PRESHEVËS

Sot, kryesia e Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, ka zgjedhur znj.Ardita Sinani, për kandidate për kryetare të Komunës të Preshevës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, që do të zhvillohen në muajt e parë të vitit 2021.

Këto zgjedhje lokale nuk janë vetëm të jashtëzakonshme për shkak të dështimit të Shqiprim Arifit. E as për shkak të dështimit të tij për ta sjellur ndryshimin pozitiv, të cilin fillimisht dhe shkurtimisht e mbështeti edhe PVD-ja, që i bëri dymbëdhjetë vjet opozitarizëm keqqeverisjes së Ragmi Mustafës.

Këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme sidomos për shkak se janë mundësi për ta hapur një kapitull të ri. Komuna e Preshevës meriton një qeverisje më të mirë, në shërbim të të gjithë qytetarëve. Këtë qeverisje të mirë nuk e duan ata që e përdorin pushtetin lokal në shërbim të interesave të tyre personale dhe grupore. Siç u dëshmua kur këta individë dhe grupe (para)politike nuk zgjodhën metoda për ta rrëzuar nga funksioni i kryetares së Komunës, znj.Ardita Sinani, vetëm për shkak se simbolizonte të kundërten e tyre dhe pengonte realizimin e interesave të tyre private.

Koha ka dëshmuar se krahas rivalëve të saj në Preshevë, znj.Ardita Sinani është opsioni që garanton qeverisjen më të mirë në interes të qytetarëve. Këto zgjedhje janë mundësi që nuk duhet humbur. Por, zgjidhja për t’i dhënë fund qeverisjes skandaloze të Shqiprim Arifit nuk është kthimi tek Ragmi Mustafa dhe hijet e tij. Por, tek shkëputja përfundimtare me modelin e tyre.

Në këto zgjedhje do të zgjedhim se a duam që Presheva të qeveriset ende prej modelit Shqiprim Arifi dhe Ragmi Mustafa, apo për të kundërtën e tyre. ​ ​ ​

Rrjedhimisht, ftojmë të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës, të cilët duan ta hapin një kapitull të ri në Preshevë duke u shkëputur nga qeverisjet e modelit Shqiprim Arifi dhe Ragmi Mustafa; që të angazhohen, mobilizohen, organizohen, solidarizohen, bashkohen dhe veprojnë, për ta bërë realitet shkëputjen e madhe me keqqeverisjen.

Shërbimi për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik


Të gjitha informacionet në lidhje me zgjedhjet e parakoheshme lokale në komunën e Preshevës mund t’i gjeni duke klikuar në këtë vegëz apo në faqen NË FOKUS nën seksionin PRESHEVA VOTON 2021.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”