Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pritet të arrijë sot në Kiev, ku do të takojë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe zyrtarë të tjerë të këtij vendi.
Vizita e Pompeos vjen në kohën kur Senati i Shteteve të Bashkuara po gjykon presidentin Donald Trump, i cili është akuzuar nga demokratët për abuzim të pushtetit, duke i bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.
Vizita vjen po ashtu disa ditë pas raporteve se Pompeo i ka thënë një gazetareje të Radios Kombëtare Publike: “A mendoni se amerikanët brengosen për Ukrainën?”
Ukraina mbështetet shumë në ndihmën ushtarake dhe politike të SHBA-së.
Takimi i Pompeos me Zelenskiyn dhe zyrtarë të tjerë është caktuar për datën 31 janar.
Bisedimet “do të nxjerrin në pah mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të lëshuar përpara vizitës së Pompeos.
Para se të niset për në Ukrainë, Pompeo do të takojë sot në Londër kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Turneu i tij përfshin edhe Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Uzbekistanin. /REL