Shoqëria Kulturore Artistike “Presheva” është shpërblyer me vendin e tretë në Festivalin Tradicional të mbajtur në Kaçanik, duke dëshmuar edhe njëherë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.
Kjo shoqëri numëron gjithsej 16 anëtarë aktivë, përfshirë 4 anëtarë të grupit folklorik dhe 12 të orkestrës popullore, të cilët kanë marrë pjesë në një numër të madh festivalesh kulturore brenda dhe jashtë vendit.
“Në festivalin e Kaçanikut u shpërblyem me vendin e tretë, dhe Preshevën po e ngrisim me kulturë dhe me këngë të bukura shqipe”, ka thënë kryetari i SHKA “Presheva”, Agim Kadriu, në një prononcim për portalin PreshevaPRESS.
Kadriu theksoi se, pavarësisht një buxheti vjetor modest, shoqëria arrin të jetë aktive falë mbështetjes së pushtetit lokal dhe drejtorisë së Shtëpisë së Kulturës ‘Abdullah Krashnica’, të cilët ofrojnë mbështetje financiare për pjesëmarrje në festivale.
“Buxheti vjetor i shoqërisë nuk është shumë i kënaqshëm, por duke falënderuar udhëheqësit e pushtetit lokal, kryetaren dhe zëvendëskryetarin, partnerët e koalicionit qeverisës, e deri te drejtori i Shtëpisë së Kulturës, gjithmonë na dalin në krah kur kemi festivale. Na ndihmojnë me mjete financiare, dhe falë kësaj deri më tani nuk kemi munguar në asnjë festival,” tha Kadriu.
Në vazhdim, ai njoftoi se shoqëria ka një agjendë të pasur kulturore për pjesën e mbetur të vitit, përfshirë pjesëmarrje në gjashte festivale të mëdhenj: në Vlorë, Gjirokastër, Prizren, Rahovec, Tetovë dhe Festivalin Ballkanik në Kumanovë.
Një ndër projektet më ambicioze të SHKA “Presheva” është gjallërimi i Festivalit Mbarëkombëtar, i cili për herë të fundit ishte mbajtur në vitin 1997. Ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me institucionet lokale dhe Shtëpinë e Kulturës.
Për fund, Kadriu njoftoi se më 17 qershor, SHKA “Presheva” do të organizojë një event në qendër të qytetit, i cili do të përfshijë interpretime të këngëve popullore dhe valle tradicionale shqiptare.