Në orën 20:00 janë mbyllur 28 vendvotimet e komunës së Medvegjës.
Sipas Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, deri në orën 18:00, votuan 56% nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Medvegjë raportojnë se për çdo katër orë dalja e votuesve është rritur për 20%.
JugPress në mëngjes ka raportuar se me të filluar votimet në Medvegjë, në oborrin e objektit të njohur në Medvegjë si Komiteti, ku edhe gjinden zyrat e SNS (Aleksander Vuçiq), SPS (Ivica Daçiq) dhe “E djathta serbe” (Misha Vasiq), kanë arritur xhipat pa tabela, e që në Serbi njihen paraqitjen e tyre nëpër vendet ku ka zgjedhje dhe lidhen për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Sipas rezultateve preliminare, pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e Medvegjës ka arritur deri në 14.5%, me ç’rast të dy listat shqiptare ajo e PVD-së dhe ajo e koalicionit APN-PD-AFEDS kanë kapërcyer pragun dhe do të kenë këshilltarë në Asamblenë Komunale të Medvegjës.
PreshevaPRESS mëson se sipas rezultateve preliminare PVD ka fituar 273 vota derisa koalicioni APN-PD-AFEDS 392 vota. Nëse këto vota përkthehen në mandate të asamblesë komunale të Medvegjës nënkupton se PVD ka siguruar një këshilltarë dhe koalicioni APN-PD-AFEDS dy këshilltarë komunal.
Pas përfundimit të votimeve në Medvegjë, partia e presidentit Vuçiq kanë thënë se në zgjedhje kanë fituar 63% të votave.
Në zgjedhjet e zhvilluara sot në Medvegjë, për 25 mandate të këshilltarëve në kuvendin komunal kanë garuar gjithsej gjashtë lista zgjedhore, prej të cilave dy lista të shqiptarëve.