Një delegacion i Forumit të Gruas nga Partia për Veprim Demokratik, të udhëhequr nga kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, kanë vizituar ministritë e udhëhequra nga femrat në Qeverinë Kurti.
Përmes një postimi në profilin e saj në facebook, kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani ka njoftuar se një delegacion i forumit të gruas të PVD-së, i përbërë nga anëtaret e kryesive të degës së Bujanocit dhe Preshevës kanë zhvilluar takime me ministret e qeverisë Kurti.
“Diskriminimi permanent në çdo sferë të jetës, mos implementimi i marrëveshjeve nga Beogradi zyrtar, mos integrimi i shqiptarëve në institucione shtetërore, papunësia në shkallën më të lartë, mos njohja e diplomave, problemet me tekstet shkollore dhe shumë probleme me rëndësi jetike që po shkaktojnë largimin e të rinjve nga Lugina ishin temë e takimeve. ” thuhet në njoftimin e Sinanit në facebook.
Delegacioni i grave të PVD-së kanë takuar Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami duke përfunduar takimin me takimin e kryeparlamentares, Vjosa Osmani.
“U bisedua për pozitën e shqiptarëve në Luginë që ditë e më shumë shqiptarët e kësaj treve po përballen me shpërnguljen masive dhe spastrimin ne heshtje sidomos kohëve të fundit më aktuale është pasivizimi i adresave.” shkruan mes tjerash Sinani në njoftimin e bërë në profilin e saj në facebook.
Bëhet e ditur se gjatë këtyre takimeve u bisedua për pozitën e shqiptarëve në Luginë, nevoja për përkrahjen e aktiviteteve e institucioneve kulturore dhe arsimore, rritja e kuotave për regjistrimin e studentëve të Luginës në fakultete shtetërore në Republikën e Kosovës etj. /PreshevaPRESS