Komuna e Preshevës ka publikuar emrat e përfituesve të subvencioneve për zhvillim ekonomik dhe OJQ për vitin 2019.
Me të publikuar listën e përfituesve nga ana e Komunës së Preshevës ka pasur reagime të shumta për procesin e seleksionimit të përfituesve të subvencioneve në të dy fushat.
“Miratoca fshati numer 2 me i madh ne Komunen e Presheves. Miratoca i dhan 666 vota ketij kryetari. Kjo eshte padrejtesi e besa edhe poshtrim per fshatin tone,te mos jet i perfshire asnje ne keto subvencione. TURP TURP TURP!!!!” thuhet në një reagim të faqes së Fshati Miratoc në facebook.
Dyshime për keqpërdorime dhe manipulimi gjatë përzgjedhjes së fituesve të subvencioneve ka paraqitur edhe drejtori i shoqatës kulturore “Dituria”, Mr. Nexhmedin Ademi.
Ademi përveç tjerash në reagimin e publikuar në llogarinë e tij në facebook ka shkruar “Motoja se ne jemi ndryshimi, së paku me këtë rast, është faktuar se është bërë ndryshimi i pushteteve, por jo ndryshimi i mendësisë për një pushtet ndryshe që do të ndryshonte jetën e qytetarit duke përmirësuar kualitetin e jetës, mirëqenien e qytetarit, standardin e meritokracisë, lufta për më shumë barazi sociale, barazia në mes komuniteteve etj. Ndryshimi ka ndodhur, por si duket jo i duhuri.”
Pa reaguar nuk ka mbetur as Klubi i Futbollit i Femrave “Presheva” në Preshevë. Ky klub përmes reagimit të postuar në facebook përveç shprehjes së pakënaqësisë me mënyrën e ndarjes së mjeteve kanë kërkuar rishqyrtimin e vendimit dhe përkrahjen nga të gjitha forumet të grave të të gjitha partive politike në Preshevë.