Qeveria e Republikës së Kosovës e cila njihet si Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti ka vendosur t’ua ndajë nga 100 euro të gjithë studentëve.
Kështu ka bërë të ditur vet Kurti para dy dite kur edhe ka mbajtur mbledhjen e fundit.
“Përderisa formimi i institucioneve të reja ende mbahet pezull, ekonomia vazhdon të rritet duke shënuar rritje prej 4.58% të BrutoProduktit Vendor, bashkë me ekonominë rriten të hyrat buxhetore, që kanë shënuar rritje prej 10%. Si qeveri që ka për bazë interesin e qytetarëve, e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetarët, sepse kur rritja ndahet, ajo shumohet. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike, me rastin e fillimit të vitit akademik, do të ndajmë nga 100 euro për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret, ashtu që ata dhe familjet ta kenë më të lehtë fillimin e vitit të ri akademik”, tha Kurti.
Sot përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se në këtë vendim përfshihen edhe studentët nga Lugina e Preshevës.
“Një mundësi e re dhe konkrete për të gjithë studentët e Luginës së Preshevës që studiojnë në Kosovë – mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës!” ka shkruar Sinani në Facebook.
Ajo përmes njoftimit në Facebook ka bërë të ditur hapat që studentët e Luginës së Preshevës duhet të ndjekin për të aplikuar për ndihmën prej 100 euro, të ndara nga Qeveria kujdestare e Republikës së Kosovës.
“Përmes platformës eKosova, studentët mund të aplikojnë për shtesën e njëhershme prej 100 eurove – për të gjithë studentët aktivë të nivelit Bachelor, Master dhe Doktoratë; si dhe bursën e Mobilitetit të Studentëve – për studentët që vijnë nga familje me të ardhura vjetore nën 12,000 euro.” ka shpjeguar Sinani në njoftimin e publikuar në Facebook.
Afati i aplikimit për këto ndihma financiare nga Qeveria kujdestare e Kosovës është i hapur deri në fund të tetorit.