Në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, organizuar nga Shtëpia e Kulturës, u mbajt Akademi Përkujtimore për punëtorin e shtëpisë së kulturës dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Fehmi Shaqiri.
Në fillim, u intonua Himni Kombëtar, e më pastaj aktori i njohur i Teatrit të Qytetit, Valon Nuhiu e recitoi poezinë përkushtuese të shkrimtarit Bilall Maliqi, të titulluar “Ky mëngjes” përkushtim për të ndjerin Fehmi Shaqiri.
Më pas, moderatori, kërkoi një minutë heshtje për ta nderuar të ndjerin.
Në vazhdim u lexua telegram ngushëllimi për të ndjerin, Fehmi Shaqiri, nga Komandant Shpëtimi, Mustafë Shaqiri.
Drejtori i Shtëpisë së Kulturës, z. Kujtim Sadriu, i përshëndeti të pranishmit, dhe foli disa fjalë për Fehmi Shaqirin, fjalë të cilat i ka merituar i ndjeri dhe në fund të fjalimit të tij, drjetori i ngushëlloi familjarët.
Më pas , në emër të OVL UÇPMB-së, fjalën e mori, z. Nazmi Hajredini, ndërsa, kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, z. Sami Salihu, në fjalimin e tij, evokoi kujtime dhe foli për figurën e Fehmi Shaqirit, sidomos në aspektin e luftës.
Po ashtu edhe Leutrim Asllani, foli për Fehmi Shaqirin fjalë miradie.
Në fund, në emër të Familjes Shaqiri, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për pjesëmarrje, djali i Fehmiut, Bunjamin Shaqiri.
Më pas, drejtori i Shtëpisë së Kulturës, z. Kujtim Sadriu, e nderoi Fehmi Shaqirin, me Mirënjohje pas vdekjes me motivacion: Për kontributin e tij në punë dhe në veprimtari të tjera. Mirënjohjen e pranoi djali i të ndjerit.
Po ashtu edhe shkrimtari, Bilall Maliqi, ia dorëzoi poezinë e shtypur, djalit të Fehmiut, Bunjamin Shaqirit.