Ndeshen titanët Amerikë dhe Kinë: Prej sot pritet goditje e ekonomive botërore

Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nisur zbatimin e taksave shtesë për mallrat e importuara nga njëra-tjetra. Kjo gjendje pritet t’i japë goditje të rëndë ekonomisë botërore.


Vala e re e taksave hyri në fuqi në orën 4 të mëngjesit të së dielës, kur Kina e nisi zbatimin e taksës prej 5 për qind ndaj naftës së papërpunuar nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është hera e parë që vendoset taksë për naftën që nga fillimi i luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha botërore më shumë se një vit më parë.

Në anën tjetër, administrata e presidentit Trump do ta fillojë zbatimin e taksës prej 15 për qind ndaj mallrave kineze që tejkalojnë vlerën e 125 miliardë dollarëve. Në mesin e produkteve që do t’i nënshtrohen kësaj takse janë disa prodhime teknologjike dhe mbathjet e ndryshme.

Në shenjë hakmarrjeje, Kina e ka nisur zbatimin e taksës shtesë ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 75 miliardë dollarësh. Pekini nuk e ka treguar vlerën e mallit që do t’i nënshtrohet taksave më të larta nga e diela.

Taksat e reja pritet të sjellin më shumë paqëndrueshmëri në tregun botëror të aksioneve të hënën, ndonëse “Wall Street” do të jetë i mbyllur për shkak të Ditës së Punës.

Taksat amerikane kanë ndikuar në ngadalësimin e rritjes së ekonomisë kineze si dhe e kanë dobësuar vlerën e valutës kombëtare të këtij shteti.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif