Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi që po mbahet këtë të martë në Bruksel, kanë miratuar pikën e parë të rendit të ditës – Deklaratën për të Personat e Pagjetur/të Zhdukur me Dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Deklarata për Personat e Pagjetur/të Zhdukur me Dhunë ishte pika e parë e rendit të ditës në takimin që filloi në orën 18:00 nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa teksti i saj pritet të publikohet së shpejti.
Ndryshe, në tryezën e bisedimeve është edhe Draft-Statuti për formimin e Asociacionit të Komuanve me shumicë serbe, të cilin e ka hartuar Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë, respektivisht nga Partia Progresive Serbe e Vuçiç-it.
Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.
Sa i përket Deklaratës për Personat e Pagjetur/të Zhdukur me Dhunë, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – ishin pajtuar paraprakisht në Bruksel, gjë që shkaktoi paqartësi dhe kundërthënie për atë se çfarë saktësisht ishin dakorduar kryenegociatorët.
Së këndejmi, duke qenë se ende nuk është publikuar teksti i Deklaratës për Personat e Pagjetur/të Zhdukur me Dhunë nga Bashkimi Evropian, termet e përdorura lënë hapësirë për dykuptimësi dhe për këtë duhet të pritet derisa të publikohet versioni final i tekstit në gjuhën angleze.
Megjithatë, kryeministri Kurti kishte deklaruar publikisht se Serbia po këmbëngul që të zhdukurit në luftë të quhen vetëm “persona të zhdukur”, ndërsa argumentonte se ai po insiston që të theksohet se një gjë e tillë është bërë me forcë, me dhunë, sepse sipas tij, nuk janë zhdukur nga fatkeqësitë natyrore.
Posted by PreshevaPress.com on Tuesday, 2 May 2023