Presheva po përballet me një realitet të dhimbshëm: klasat po zbrazen, fëmijët po ndahen nga shokët e tyre, ndërsa familjet largohen çdo ditë drejt mërgimit.
Një ngjarje e ndodhur në ditën e parë të vitit shkollor, e rrëfyer nga regjisorja preshevare Afeida Boriçi, e shpalos në mënyrën më të ndjeshme këtë plagë shoqërore.
Në një klasë të dytë fillore, një fëmijë hyri i gëzuar, i bindur se do ta gjente shokun e bankës, ashtu si vitin e kaluar. Por vendi përkrah tij mbeti bosh. Shoku i tij tashmë kishte ikur bashkë me familjen në Gjermani, si shumë të tjerë para tij.
Ky episod nuk është i izoluar. Migrimi masiv i shqiptarëve nga Presheva po krijon boshllëqe të mëdha në bankat shkollore, ku shumë fëmijë nuk i gjejnë më shokët e ngushtë, duke mbetur me kujtimin dhe shpresën e rikthimit.
Një situatë që përveç pasojave demografike e ekonomike, ka edhe një ndikim emocional të madh te gjeneratat më të reja.
Rrëfimi i znj. Boriçi e përshkruan me ndjeshmëri këtë realitet:
Në shikim të parë duket një fotografi e thjesht:
Lisi i ulur në bankë në ditën e parë të klasës së dytë.
Por sot kur u futën në klasë, syt e çdo fëmije kërkonin shokun ose shoqen e bankës, që shumica prej tyre nuk ishin parë prej ditës së fundit të klasës së parë.
Klasa po mbushej, mësuesi te dera i priti me shumë dashuri të gjithë nxënësit… po thuaj se të gjithë…
Fëmijët u përqafuan, filloi biseda aty ku e kishin lënë.
Përveç Lisit që më kot e priti dhe e kërkoi me sy shokun e tij të bankës … e priste me padurim të shfaqej te dera … po kot aj nuk u shfaq.
Ju afrova mësues Edit dhe i thash Lisi po e pret Lianin … më pa në sy dhe gati duke pëshpërit më tha:
Liani ka shku …
Mu këput shpirti për Lisin por, nga ana tjeter mu bë qefi për Lianin që më më fund familja u bashkua në mërgim.
Mblodha vetën dhe ju afrova
Lisi Liani paska shku në Gjermani …
Më pa një kohë e pastaj më tha
Thuj msusit po du me ndejt vet në bankë po e ruj karrigen për shoqin tem kur të kthehet.