Shumica udhëheqëse në Kuvendin Komunal të Preshevës, e përbërë nga 15 këshilltarë komunal të Alternativës për Ndryshime, dy të Listës serbe dhe tre këshilltarë të Lëvizjes për Reforma PDSH, që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale në dhjetor të vitit 2017 deri më tani, për më se dy vite ka zhvilluar vetëm njëmbëdhjetë seanca. Që i bie po thuaj në çdo tre muaj, aq sa është afati i domosdoshëm ligjorë për mos shpërbërjen e këtij institucioni legjislativ.
Kjo sipas kryetares së degës së Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani, e cila është në opozitë, jo se ky koalicion po i zgjidh çështjet dhe problemet e qytetarëve, por sepse po përballet me krizë të numrave dhe me kërkesat e vazhdueshme të këshilltarëve të shumicës për përmbushjen interesave personale, duke kushtëzuar udhëheqësit aktual.
Seanca e fundit e mbajtur me 10 mars, dy ditë para skadimit të afatit ligjorë për shpërbërjen e Kuvendit, ndërsa ishte thirr për datën dy mars, pastaj për nëntë mars dhe dy herë e prolonguar gjatë dhjetë marsit, nga ora 11 në 14 dhe e mbajtur pas orës 15, ka shkaktuar edhe reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa.
Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në seancën e fundit, gjë për të cilën u kritikuan nga këshilltarët e shumicës. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu, para kuvendarëve e pranoi sfidën e grumbullimit të këshilltarëve komunal.
Kuvendi Komunal i Preshevës përbëhet nga 38 këshilltarë, shumica aktuale përbëhet nga 14 kuvendar prej 15 sa kishte Alternativa për Ndryshime e Shqipërim Arifit, meqë një këshilltare ka kaluar e pavarur duke mos u pajtuar me programin qeverisës të kryetarit të komunës Shqipërim Arifi, dy këshilltarë të Listës Serbe, tre të Lëvizjes për Reforma PDSh, si dhe një këshilltar i PDSH-së që ka kaluar në APN. Ndërsa në opozitë janë 10 kuvendar të Partisë Demokratike Shqiptare nga 11 sa i kishte pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, një këshilltare e APN-së dhe 6 këshilltarë të Partisë për Veprim Demokratik.
Sipas ligjit serb për pushtet lokal dhe administrim, nëse kuvendet komunale nuk zhvillojnë të paktën një seancë në çdo tre muaj, vjen deri tek shpërndarja e Kuvendit. Ndërsa me automatizëm bie edhe kryetari i komunës i cili zgjidhet nga shumica e Kuvendit. Kuvendi Komunal i Preshevës për më se dy vite permanent përballet me rrezikun e shpërndarjes, ndërsa mbijeton duke i përmbush interesat personale të këshilltarëve të shumicës.