Kurti letër zyrtarëve të BE-së: I gatshëm për të punuar me ta rreth dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar sot përmes letrave Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell dhe Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen.


Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi që ka nisur për media nga zyra e kryeministrit të Kosovës.

Në letrat që Kurti e ka shkruar për Borellin dhe presidenten e KE-së, i ka njoftuar për objektivat dhe Qëllimet e Republikës së Kosovës.

“Shkruaj për t’ju informuar për objektivat dhe qëllimet e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi që të ritheksojmë shpresën tonë për thellimin të bashkëpunimit dhe integrim të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës në përpjekjet tona për vendosje të sundimit të ligjit, zhvillimit të ekonomisë dhe qeverisjes së mirë. Ju jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të BE-së dhe besojmë se marrëdhënia jonë me BE-në është e bazuar në vlerat e përbashkëta që i kemi”, ka shkruar ai.

Gjithashtu, të dy këta i ka njoftuar edhe se nga 15 marsi do të heqin tarifën për mallrat Serbe dhe ato nga Bosnja dhe Hercegovina.

” Në përputhje me këtë zotim, duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë të heqim tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që u vendosën nga qeveria e kaluar. Fillimisht ne do t’i heqim tarifat mbi lëndën e parë. Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për rifillimin e dialogut me Serbinë. Shpresojmë që Serbia t’i përgjigjet në mënyrë reciproke këtij vendimi; në këmbim të kësaj presim që Serbia t’i heqë të gjitha barrierat e mbetura jotarifore për tregti me Kosovën, si dhe t’i jap fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës. Ftojmë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të krijojnë mekanizma monitorimi dhe sanksionimi për të siguruar që të dy palët t’i respektojnë zotimet e tyre në marrëveshjet ekzistuese dhe në ato të ardhshme”, ka shkruar Kurti.

Related posts

Turqia e pavendosur, edhe pse është në NATO dëshiron të anëtarsohet edhe në BRICS

Nga sot ndryshon rregullorja e udhëtimeve brenda BE, njihuni me rregullat që do të ballafaqoheni

Alarmon Fajon: I trembem faktit se Schengeni po mbyllet si shkak i kërcënimeve në rajon