Deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, ish-kryetarin e komunës së Bujanocit, z. Shaip Kamberin, të shoqëruar nga ish-kryetarja e Preshevës, tani kandidatja për këtë komunë, znj. Ardita Sinani, i priti sot në takim kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëheri kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, së bashku me kandidatin për deputet, Liburn Aliu.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në Luginë e në Kosovë, me theks të veçant për problematikën e fshirjes së shqiptarëve nga regjistrat civilë në Medvegjë.
“Me bindjen se fshirja e shqiptarëve nga regjistrat civil është e papranueshme e duhet të ndalet, nënvizuam se Kosova e Shqipëria e kanë për obligim, e qeverisja jonë e re do të angazhohet, që ta ngris këtë çështje Bruksel e në Washington D.C., në OSBE, dhe në të gjitha organizatat tjera që merren me liritë dhe të drejtat e njeriut.” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në faqen e kësaj partie në rrjetin social facebook.
Ardita Sinani, kandidatja e PVD-së për kryetare në zgjedhjet e parakohshme lokale, përmes llogarinsë së saj në facebook, ka shkruar në lidhje me këtë takim. Ajo gjithashtu ka uruar suskese Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, duke shprehuer nevojën e fuqizimit të bashkërendimit mes institucioneve të Repiblikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës pas zgjedhjeve.
“Përgjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në Luginën e Preshevës e në Kosovë, ku shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin e Lëvizjes Vetëvendosje! drejt sensibilizimit shtetëror, rajonal dhe ndërkombëtar; lidhur me procesin diskriminues të fshirjes së shqiptarëve nga regjistrat civilë në Luginën e Preshevës, e sidomos në Medvegjë.” ka shkurar Sinani, mes tjerash nënjoftimin e saj në rrjetin social facebook.