Kosovë / Mblidhet Këshilli i Sigurisë, ndalohen 16 persona nga Serbia

Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Serbia po ndërhyn te disa deputetë joshumicë që ta sabotojnë themelimin e institucioneve të reja

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në këtë mbledhje u konstatua se ka pasur ndërhyrje të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe zgjedhjet parlamentare, Serbia po ndërhyn edhe te disa deputetë të komuniteve joshumicë e joserbë.

“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 09.02.2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë”- thuhet në njoftimin e Qeverisë të datës 06.04.2025.

Tutje, theksohet se me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën.

“Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”- vazhdon më tej njoftimi.

ZKM më tej ka potencuar rastet e fundit të sulmeve në veri te vendit dhe kërkoi nga institucionet vëmendje dhe gatishmëri.

Sveçla: Ndalohen 16 persona nga Serbia, gjenden dëshmi të lidhjes me strukturat e inteligjencës serbe

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se me anë të një operacioni të përbashkët të organeve të sigurisë, më 5 dhe 6.04.2025, janë ndaluar 16 persona, në katër automjete me targa të Kragujevcit.

Derisa, për katër prej tyre tha se janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

Sveçla bëri të ditur se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48-orëshe”- shtoi më tej Sveçla më 06.04.2025.

Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla më tej tha se grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”

“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe” – ka shkruar ai.

Sipas Sveçlës, hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq.

“Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”- ka shtuar me tej Sveçla.

Ai potencoi se fakti që u strehuan në objekt fetar kishte për qëllim shkaktim tensionesh ndëretnike e fetare./kallxo.com

Related posts

Prof. dr Gjuro Macut është mandatari për themelimin e Qeverisë së re në Serbi

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

Topi zanor – teknologjia e përdorur në Serbi si ajo në Rumani para 35 viteve

/