Gjysma e Komunës së Preshevës që furnizohet nga ujësjellësi nga e mërkura kanë mbetur pa ujë.
Edhe pse gjendemi në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së krijuar si pasojë e koronavirusit Covid19, qytetarët që jetojnë gati se në gjysmën e territorit të Preshevës kanë mbetur pa ujë në momentin kur ai është më se i nevojshëm.
Derisa nëpër media po transmetohen spote të ndryshme sensibilizuese që apelojnë të mbahet higjiena në nivelin sa më të lartë këto ditë, qytetarët e Preshevës nuk kanë ujë nga ditë e mërkurë si pasojë e siç i quan udhëheqësi e Preshevës “havari me gypat e stërvjetruar që furnizojnë me ujë qytetin”.
Ndërmarrja publike Moravica përmes një postimi në faqen zyrtare të Komunës së Preshevës para dy dite ka njoftuar se brenda ditës së enjte ekipet e saja do të arrijnë të sanojnë problemin e krijuar me gypin e ujësjellësit në rrugën Ramiz Sadiku, kjo ende nuk ka ndodhur.
Mirëpo, gjatë ditës së sotshme rreth orës 14:00, Komuna e Preshevës përmes një postimi të ri ka kërkuar nga qytetarët durim dhe mirëkuptim pasi që ka tri prishje në gypat kryesorë të ujësjellësit komunal, gjë që sipas komunës po punohet në rregullimin e tyre.
“Në këtë sfidë që gjendemi me Covid 19 dhe ora policore që po përcjell këtë sfidë, e cila ka filluar sot në orën 13:00 dhe përfundon të hënën në orën 05:00, në gypat kryesor të stërvjetëruar të ujësjellësit të qytetit kanë ndodhur tre havari që furnizojnë me ujë qytetin.
Kështu që, ju lutemi për mirëkuptim tuaj në këto orë të rënda në shtëpitë tuaja, ju kërkojmë durim dhe mirëkuptim, ekipet janë në teren dhe jemi duke u munduar të zgjidhim këtë problem sa më shpejt.” thuhet në postimin e fundit të Komunës së Preshevës në facebook.