KKSH: MEDIAT E DIRIGJUARA NGA BEOGRADI NUK MUND TË SIGUROJNË TË DREJTËN E INFORMIMIT NË GJUHËN SHQIPE

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kundërshtuar vendimin mbi përzgjedhjen e projekteve në konkursin për bashkëfinancimin e projekteve mediale në gjuhën e pakicave të vitit 2019 nga Ministria e Kulturës dhe Informimit.


Këshilli Kombëtar Shqiptar në shkresën drejtuar Ministrit Vladan Vukosvleviq ka theksuar se Ministria nuk ka respektuar të drejtat e garantuara sipas kushtetutës dhe ligjeve të veçanta për pakicat kombëtare dhe po rrezikon të drejtat e komunitetit shqiptar për informim në gjuhën shqipe.

Kjo ministri ka mbështetur kryesisht projektet e parashtruar nga organizatat mediale që i përkasin përkatësisë së shumicës dhe në të njëjtën kohë ka anashkaluar organizata mediale burimore të komunitetit shqiptar. Përmes mediave të dirigjuara nga Beogradi nuk mund të sigurohet e drejta e informimit në gjuhën shqipe.

Në të njëjtën kohë Ministria thuajse fare nuk ka marrë parasysh rekomandimet e Këshillit Kombëtar Shqiptar të dërguar më 10/06/2019 me Nr. 191-2/19, edhe pse një gjë e tillë kërkohet të respektohet me ligjet në fuqi.

Vlen të theksohet se Këshilli Kombëtar Shqiptar në shkresën e dërguar, ka shprehur shqetësimin e thellë, se qeveria dhe dikasteret e saj, në vazhdimësi duke mos e respektuar këtë institucion po anashkalojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në këtë mënyrë po pamundëson bashkëpunimin për të realizuar të drejtat ligjore. Tashmë po bëhet e qartë qasja e kabinetit qeveritar ndaj respektimit të drejtave të shqiptarëve në të gjitha fushat e veprimit.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”