Kamberi i hapur për bashkëpunim me partitë e tjera shqiptare në Luginë, Kurti tentoi unifikimin tonë në vitin 2022

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka tentuar disa herë që të krijojë një listë të përbashkët politike për partitë shqiptare në Luginë të Preshevës.


Kamberi, tha se Kurti ka tentuar të mbajë takim me partitë në zgjedhjet e 2022-tës.

“Unë jam dëshmitar që në zgjedhjet e 2022-tës, kryeministri Kurti tre herë ka pretenduar me na thirr në takim dhe me bë një listë të përbashkët. Për Luginën e Preshevës situata është krejt tjetër. Kryeministri Kurti në qëndrimin që e ka pasur në takimin në të cilin kanë qenë të gjitha partitë politike, përveç APN-së, veç kryetari, është ftuar në telefon po të presim edhe një orë eja, nuk ka ardhur. Do të thotë, tre takime janë tentuar dhe nëse ai nuk ka ardhur në takim me një paragjykim se ky na imponoi një zgjidhje në të vërtetë krejtësisht tjetër ka qenë qëndrimi. Atëherë nuk mund të thuash se ai ka faj”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Sipas tij, për situatën aktuale në Luginë të Preshevës fajin e kanë partitë politike, që siç thotë Kamberi janë krijuar nga ambiciet e shqiptarëve.

“Fajet në Luginë të Preshevës ekzistojnë me kohë 7-8 parti politike, nuk i ka bërë Albin Kurti, nuk i ka bërë Hashim Thaçi, nuk i ka bërë Ramush Haradinaj, ato i kanë bërë ambiciet e shqiptarëve atje për të qenë… Do të ketë tentativa për të unifikuar aspektin politik, do të shohim, sepse pashmangshëm atje në zgjedhjet parlamentare ndikojnë edhe ambiciet për listat lokale”, shtoi ai.

Në dhjetor të këtij viti, Serbia do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është deklaruar i hapur për bashkëpunim me partitë tjera shqiptare në Luginë të Preshevës.

Kamberi, është optimist se mund të ketë unifikim të një liste për zgjedhje parlamentare që do të mbahen në Serbi.

“Një bashkëpunim pa kushtëzime është i mundur dhe një politikë që duhet ta kemi të qartë, ne mund të kemi një situatë në të cilën do të kemi një listë të përbashkët në momentin kur një ose dy deputetë do ta fitojnë mandatin ata të deklarohen se mandati është i yni dhe ne vazhdojmë rrugëtim ndaras nga ju. A do të ketë arsye? Një ndarje na pret ndoshta, qoftë përpara, qoftë mbrapa dhe cili është raporti politik i Luginës së Preshevës me Kosovës”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Kamberi, thotë është budallallëk të tentohet se Lugina e Preshevës zgjedh kryeministrin apo presidenten e Kosovës.

“Ne mund të kemi preferenca të caktuara në Kosovë për atë, ose për këtë parti politike, por është budallallëk të tentohet se Lugina e Preshevës e zgjedh kryeministrin në Kosovë apo presidenten. Nuk është problem te emri, është problem te koncepti. Një koncept politik, i cili vazhdon politikën e rezistencës ndaj këtij diskriminimi do të duhej të jetë mbizotërues. Ne në vitin 2020 e kemi pasur një listë të përbashkët, kemi arrit me i marrë 3 mandate, 3 mandate janë shumë me pretendu për faktin se atëherë ishte një situatë krejt tjetër, një situatë kur opozita kishte bojkotuar zgjedhjet në Serbi dhe koata e mjaftueshme për një deputet ishte 9 mijë vota tash në zgjedhjet e fundit e patëm 4 mijë vota, pra thjeshtë është vështirë të pretendojmë që të kemi 35-36 mijë”, shtoi ai.

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”