Historia e gënjeshtrave dhe shakave të 1 prillit

Një (1) prilli është dita ku njerëzit gënjejnë njëri-tjetrin, bëjnë shaka, mashtrime e rrengje me përmbajtje humori.


Ndërsa këto mund të bëhen në çdo ditë tjetër, ajo çfarë e dallon 1 prillin është se këto veprime falen, me një marrëveshje të pashkruar.

Në epokën moderne, gazetat, radiot, stacionet televizive dhe faqet e internetit bëhen pjesë e traditës së 1 prillit duke raportuar lajme fiktive për të mashtruar – për një moment – audiencën e tyre.

Më 1 prill gënjehet në shumë vende të botës, pavarësisht sfondeve të ndryshme historike dhe kulturore. Disa nga këto vende janë Britania, Greqia, Brazili, Italia, India, Skocia, Franca, Shqipëria, SHBA-të, Polonia, Irlanda.

Versione për origjinën e Ditës e Gënjeshtrave, ose Ditës së Rrenave

Ndërrimi i Kalendarit në Francë

Ndonëse origjina e saktë e kësaj dite nuk është provuar deri më tani, historianët spekulojnë se i ka rrënjët në vitin 1582, në Francë, kur ky vend kaloi nga kalendari Julian në kalendarin Gregorian.

Në kalendarin Julian, viti i ri fillonte rreth datës 1 prill. Por thuhet se shumë njerëz e morën lajmin me vonesë, dhe e festuan Vitin e Ri rreth kësaj date. Ndaj këtyre njerëzve filluan të bëheshin shaka, e t’u thuheshin gënjeshtra, përderisa ata po manifestonin diçka jo të vërtetë.

Hilaria në Romën e Lashtë

Disa historianë e lidhin Ditën e Gënjeshtrave me festën Hilaria (latinisht “e gëzueshme”), e cila festohej në Romën e Lashtë në fund të marsit nga ndjekësit e kultit të Kibelës, perëndeshë greke. Gjatë kësaj dite, njerëzit vendosnin maska dhe bënin shaka me njëri-tjetrin.

Ekuinoksi pranveror

Ka spekulime se Dita e Gënjeshtrave lidhej me Ekuinoksin pranveror, ose ditën e parë të pranverës në hemisferën veriore, kur “Nëna Natyrë” mashtronte njerëzit me ndryshimin e paparashikueshëm të motit.

Kur “mashton” natyra – Plakat e marsit

Dita e Gënjeshtrave përkon si datë me legjendën e Plakave të Marsit, që haset në shumë krahina të Shqipërisë.

Në fund të marsit, nga aty ku moti ishte përmirësuar e kishte ditë me diell, fillojnë reshje dhe temperaturat ulen. Sipas gojëdhënave, ky fenomen i natyrës shpjegohet përmes legjendës së Plakave të marsit.

Legjenda thotë se plakat dolën në mal duke kullotur dhentë, të lumtura se ishin ditët e fundit të marsit dhe dimri mbaronte. Kështu, plakat filluan ta shajnë dimrin, me idenë se ia hodhën stinës së ftohtë.

Mirëpo marsi nuk e priti mirë reagimin e plakave, dhe ashtu siç nëpër mite e legjenda natyra merr veti njerëzore, marsi u inatos me plakat. Ai i kërkoi shkurtit 3 ditë hua për ta zgjatur dimrin. Prej kësaj, thonë legjendat, shkurti ka 3 ditë mangët.

“O shkurt o im vëlla, më jep tri ditë hua, ta ngrij plakën me gjithë çka”.

Related posts

Gold AG po vjen me këngë për dëshmorin Adrian Krasniqi

Të dielën fillon ora verore, akrepat lëvizin një orë përpara

E martë e vranët, priten reshje shiu