Këtë vit, organizimi i Haxhit për besimtarët myslimanë nga Lugina e Preshevës, si edhe mbarë Serbia po zhvillohet në rrethana të reja, me kuota të kufizuara dhe me procedura të ndryshuara nga autoritetet saudite.
Edhe pse para dy viteve, u siguruan 700 vende për udhëtimin e haxhinjve nga Serbia, ku bëjnë pjesë edhe ata të Luginës, rivalitetet për legjitimitet moral dhe juridik në mes dy Bashkësive Islame në Novi Pazar, akuzat dhe kundër-akuzat kanë ndikuar negativisht te autoritetet saudite për organizimin e Haxhit, duke bërë që autoritetet saudite të ndryshojnë mënyrën e menaxhimit të këtij procesi.
“Tani organizimi i Haxhit është zbritur në një nivel tjetër, përmes një platforme të re të quajtur Nusuk, e cila është nën licencë të Ministrisë së Haxhit të Arabisë Saudite dhe funksionon me agjenci të caktuara brenda saj,” tha për PreshevaPRESS kryetari i Bashkësisë Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin Ademi.
Ndryshe nga përvoja e mëparshme, sistemi i ri Nusuk përcakton kuota të kufizuara për shtetet ku muslimanët janë pakicë. Në këtë rast për Serbinë është lejuar vetëm një numër prej 200 haxhinjsh, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt edhe te besimtarët e Luginës së Preshevës.
“Ne si Bashkësi Islame po përpiqemi që haxhinjtë e regjistruar tek ne të kenë përparësi në aplikacionin zyrtar saudit, sapo të hapet për këto 200 vende, pasiqë kuptohet se kuota nuk i plotëson të gjitha kërkesat e besimtarëve në Serbi për t’a kryer detyrën e shenjtë, farzin e pestë të islamit” shpjegon Ademi, kryetari i BIPMB-së.
Ai thekson se vetëm përmes Bashkësisë Islame aplikimi mund të bëhet në mënyrë më të avancuar dhe me gjasa më të mëdha për të marrë vizat për kryerjen e Haxhit.
Sa i përket mënyrës së organizimit, besimtarët e interesuar duhet t’i drejtohen Këshillit të Bashkësisë Islame në Preshevë, pasiqë organizimi zyrtar bëhet nën kompetencat e të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM).
“Çdo organizim paralel apo privat nuk mban përgjegjësi për dështime eventuale, siç ndodhi vitin e kaluar,” paralajmëron Ademi.
Çmimi i paketës për kryerjen e Haxhit këtë vit do të përcaktohet nga sistemi Nusuk dhe mund të jetë më i lartë se në vitet e kaluara, megjithëse ende nuk është bërë publik.
Për shkak të kohës së kufizuar dhe numrit të limituar të vendeve, Bashkësia Islame bën thirrje që regjistrimet të bëhen sa më shpejt.