Greqia thotë se zmbrapsi afro 35,000 migrantë

Migrantë në provincën turke Edirne, në kufi me Greqinë.

Greqia ka zmbrapsur afro 35,000 migrantë, që kanë bërë përpjekje të kalojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e saj, prejse Turqia ka hapur kufijtë, javën e kaluar.


Sipas zyrtarëve të Qeverisë greke, të cituar nga agjencia Reuters, mijëra migrantë të tjerë kanë arritur të kalojnë kufirin.

Ankaraja, më 28 shkurt, i ka hapur kufijtë drejt Evropës, duke thënë se nuk mund të zbatojë më një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në, për të parandaluar hyrjen e migrantëve në Evropë.

Autoritetet turke i kanë akuzuar forcat greke për vrasjen e katër migrantëve.

Athina i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka thënë se forcat turke po i ndihmojnë migrantët të kalojnë kufirin.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, ka vizituar të enjten provincën Edirne, në kufi me Greqinë, dhe ka njoftuar për vendosjen e 1,000 forcave speciale në zonë, për të ndaluar kthimin e migrantëve drejt territorit turk.

Soylu ka akuzuar forcat greke për plagosjen e 164 migrantëve dhe kthimin e rreth 5,000 vetëve në Turqi.

Turqia strehon 3.7 milionë refugjatë sirianë, si dhe migrantë nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme.

Së voni, gati një milion sirianë kanë ikur në kufirin turk nga provinca Idlib, për shkak të luftimeve të mëdha atje midis rebelëve të mbështetur nga turqit dhe forcave të Qeverisë siriane, të mbështetura nga Rusia.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më herët se Turqia nuk mund të përballojë valë të re të refugjatëve sirianë.

Related posts

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif