Grenell në Beograd: Marrëveshja e Washingtonit – do të shndërrohet në vende pune

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, tha të martën në Beograd se dakordimi i arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë “nuk është vetëm fjalë në letër”.


Zoti Grenell i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd ku mbërriti të hënën në mbrëmje pas vizitës në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed.

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të martën në Beograd që të krijojnë një grup punues, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së 4 shtatorit, si dhe të ofrojnë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Boehler, përgëzoi Odat ekonomike të të dyja vendeve për vendime që sic tha ai “janë për qytetarët dhe jo politikën”.

Delegacioni amerikan qëndroi të hënën në Prishtinë ku zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /TetovaSot

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë