Google njoftoi të martën se do të investojë 5 miliardë paund (rreth 6.8 miliardë dollarë) në Britaninë e Madhe, në prag të vizitës zyrtare të presidentit amerikan Donald Trump në këtë vend, e cila pritet të shoqërohet me një seri marrëveshjesh dhe partneritete biznesi.
Kompania amerikane e teknologjisë njoftoi gjithashtu hapjen e një qendre të re të të dhënave pranë Londrës, e cila do të ndihmojë në përmbushjen e kërkesës në rritje për shërbimet e saj të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, si Google Cloud, Search, Maps dhe Workspace. Ministrja e Financave britanike, Rachel Reeves, u shpreh se ky investim është “një shenjë e fortë besimi në ekonominë britanike dhe në fuqinë e partneritetit tonë me SHBA-në”.
Sipas kompanisë në pronësi të Alphabet, investimi pritet të krijojë rreth 8,250 vende pune çdo vit në bizneset britanike.
Ky lajm shihet si një përforcim për qeverinë e kryeministrit Keir Starmer, që synon të tërheqë investime private për të stimuluar ekonominë e ngadalësuar dhe për të rritur mbështetjen në sondazhet kombëtare.
Vizita e Trumpit pritet të thellojë lidhjet ekonomike midis dy aleatëve perëndimorë. Zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar se do të njoftohen marrëveshje ekonomike me vlerë mbi 10 miliardë dollarë. Në deklaratën e saj, Google njoftoi gjithashtu një marrëveshje me kompaninë Shell, e cila do të kontribuojë në stabilitetin e rrjetit energjetik dhe tranzicionin energjetik të Britanisë.
Qendra e të dhënave e Google në Waltham Cross, rreth një orë larg Londrës me makinë, përdor teknologji ftohjeje me ajër për të reduktuar përdorimin e ujit dhe është e pajisur për të rikthyer nxehtësinë e prodhuar në këtë qendër drejt banesave dhe bizneseve lokale, duke minimizuar kështu ndikimin e saj në mjedis.
Në përputhje me iniciativat e energjisë së pastër dhe partneritetin me Shell, Google parashikon që operacionet e saj në Britani të funksionojnë me rreth 95% energji të pastër deri në vitin 2026.