Ambasadori gjerman në Turqi e cilësoi të papranueshëm arrestimin e avokatit të punësuar pranë kësaj ambasade, ndërsa kërkoi nga Ankaraja të zyrtarizonte akuzat ndaj tij.
Avokati turk u arrestua më mes të shtatorit, tha një zyrtar gjerman.
“Ky arrestim është i pakuptimtë për ne. Ja pse po kërkojmë me ngulm që të zbardhen akuzat, gjë që ja kemi përsëritur në mënyrë të vazhdueshme Turqisë”, – shkroi në një status ambasadori gjerman, Martin Erdmann.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë janë lëkundur vazhdimisht pas kritikave të Gjermanisë ndaj presidentit Tayyip Erdogan lidhur me grushtin e dështuar të shtetit në 2016 dhe ofensivës më të fundit ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve në veri të Sirisë.
Avokati ishte punësuar nga ambasada gjermane që të siguronte dokumentet lidhur me qytetarët turq që kanë aplikuar për azil në Gjermani, raportojë mediat gjermane.
Numri i azilkërkuesve turq në Gjermani është rritur ndjeshëm që nga grushti i dështuar i shtetit i vitit 2016, që sipas Erdogan ishte organizuar nga rivali i tij i përjetshëm, kleriku Fethullah Gulen.
Nga janari në tetor të vitit 2019, 9500 shtetas turq kanë aplikuar për azil në Gjermani, shifra këto që i rendisin turqit në vendin e tretë të azilkërkuesve, pas sirianëve dhe irakianëve. /euronews