Gjendet një qyp me monedha të lashta romake

Arkeologët po studiojnë një qyp me monedha të lashta romake, të gjetur në rrënojat e një teatri të vjetër në veri të Italisë.


Monedhat, të paktën 300 të tilla, i përkasin kohës së lashtë romake dhe u gjetën në një qyp prej balte në bodrumin e Teatrit Cressoni në Como, në veri të Milanos.

“Momentalisht nuk dimë ende detajet historike dhe kulturore të këtij zbulimi”, tha Ministri italian i Kulturës, Alberto Bonisoli në një deklaratë për mediat.

“Por kjo zonë po rezulton një pasuri e vërtetë për arkeologjinë, një zbulim që më mbush me krenari”, tha Bonisoli më tej.

Kushdo që e vendosi qypin në këtë vend,“i varrosi monedhat në mënyrë të tillë që në rast rreziku mund të shkonte dhe t’i merrte”, shpjegoi për mediat, ekspertja e monedhave të rralla, Maria Grazia Facchinetti.

Ajo tha se monedhat kanë të gdhendur fytyrat e Honorius, Valentinian III, Leon I, Antonio dhe Libius Severus, që do të thotë se nuk janë më të lashta se viti 474 Pas Lindjes së Krishtit.

“Kjo na bën të mendojmë se pronari i tyre nuk ishte një subjekt privat, por një bankë publike apo depozitë”, tha Facchinetti. Arkeologët gjetën gjithashtu një pllakë floriri brenda qypit.

Sipas asaj që shkruan CNN, monedhat u gjetën javën e shkuar dhe u dërguan në një laborator në Milano, ku po studiohen nga arkeologët dhe restauruesit.

Related posts

Oxford shpallet sërish universiteti më i mirë, institucionet evropiane në rënie

E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

Këta janë fituesit e çmimit Nobel në Mjekësi