Qeveria e re e Malit të Zi nuk do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës, thuhet në marrëveshjen për formimin e shumicës së re parlamentare në Mal të Zi.
Në propozim-marrëveshjen e tre partnerëve të ardhshëm të koalicionit të ri qeverisës, të nënshkruar edhe nga lideri i partisë URA, Dritan Abazoviq, thuhet se ekzekutivi i ri i Malit të Zi nuk do ta ndryshojë pozicionin e saj karshi Kosovës.
“Qeveria demokratike e Malit të Zi nuk do të iniciojë procedurë për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njërën nga pikat e draft-marrëveshjes.
Përveç Abazoviqit, marrëveshja është nënshkruar edhe nga dy përfaqësuesit e tjerë të koalicionit: Zdravko Krivokapiq nga Koalicioni për Ardhmërinë e Malit të Zi dhe Aleksa Beçiq nga Koalicioni ‘Paqja është Kombi Ynë’, raporton Gazeta Insajderi.
Një pikë tjetër e draft-marrëveshjes së koalicionit të parë qeverisës të formuar pa Partinë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviq, thekson se Mali i Zi do të vazhdojë të jetë pjesë e NATO-s. Nuk do ta ndryshojë orientimin drejt Bashkimit Evropian.
“Qeveria demokratike e Malit të Zi me përgjegjësi do të implementojë të gjitha angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga shteti për forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit me aleancën e NATO-s dhe për përmbushjen e shpejtë të të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, thuhet në dokumentin e publikuar në media të mërkurën.
Dritan Abazoviq është politikan shqiptar nga Ulqini. Në zgjedhjet e fundit paralamentare, Abazoviq udhëhoqi drejt suksesit koalicionin e quajtur “E zeza mbi të bardhën” – pjesë e thelbësore e së cilit koalicion ishte edhe partia e tij, URA. /Insajderi.org