E pamja – një institucion dhe protokoll i veçantë etnokulturor në Kosovë

Shkruar nga: Qemal Murati

Kodet e ngushëllimeve në Kosovë

E pamja – pritja për ngushëllim kur vdes dikush në familje; shkuarja për kryeshëndoshë kur vdes dikush. Shkoi në t’pame – shkoi për kryeshëndoshë. E pamja në anë të Kosovës është pothuajse një institucion që i kushtohet shumë rëndësi. Në disa zona, në qytetin e Gjakovës përdoret n’t’pane. E pamja dikur zgjaste shumë, më se një muaj; më vonë u thjeshtua në dhjetë ditë, e tani së voni mba­het kryesisht tri ditë. Kodete ngushëllimeve në Kosovë kanë një protokoll të vërtetë dhe mjaft të konservuar, e sidomos në Rrafshin e Dukagjinit. Ata që shkojnë për ngushë­llime në një mort caktojnë prijësin, i cili zakonisht duhet të jetë me moshë më të vjetër, por dhe njeri që ia di rendin mirë protokollit për ngushëllime. Personi i caktuar komunikon me pritësin nga ana e familjes së të ndjerit për kryeshëndoshë apo, si thuhet, në Kosovë në t’pame, duke iu drejtuar atij dhe të pranishmëve të tjerë me fjalët:

Burra, Zoti ju lashtë shnoshëMos u mërzitni!

Burra, kush asht për kryeshnoshë, Zoti ju lashtë shnoshëEdhe në emën të këtyre shokëve që janë me mu, Zoti ju lashtë shnoshë! (ata të tjerët nuk flasin).

Në përgjigje: Kofsh shnoshëMërzi mos paçi!

Në vajtje për kryeshëndoshë, në Rrafshin e Dukagjinit, ai që shkon për të ngushëlluar nuk i pyet të pranishmit si jeni, e as pritësi nuk thotë mirë se erdhët! Nëse janë shumë veta në të pame, zoti i të pamës pyet mysafirët, za­konisht një ose dy veta: “Shka jeni, çysh keni kalu rrugës?” Kur kryhet ky muhabet, mysafiri (udhëheqësi i grupit) u thotë:

Vazhdoni ku keni pasë renin”.

Zakonisht pritësit thonë: Jo, s’kemi pasë diçka. Renin e ki ti” (i jepet fjala mysafirit).

Në raste të tilla flitet kryesisht për tema më të mëdha (p. sh., qysh po bëhet puna e Kosovës, për tema të tjera aktuale, jo për çështje të rëndomta, ta zëmë si i keni bereqetet? Nuk marrin tema të zymta, të rënda, që përkujtojnë tragjedi familjare, që të mos u përtërihen dhembjet).

Në t’pame nuk rrihet shumë. Vende-vende, sidomos në anën e Rrafshit të Dukagjinit, vetëm shkohet sa për ngushëllime dhe nuk rrinë gjatë.

Tri lloj të pamesh janë:

E pamja adet – kur shkon e ngushëllon familjen, rri pesë minuta, siç është njëlloj adeti, pra kryen një obligim formal.

E pamja marifet – kur shkon ta ngushëllosh familjen me kohë, me njerëz të duhur dhe lë një porosi a fjalë të mençur. Ato më pas edhe përmenden: siç ka thanë filani!

E pamja adalet – për faqe t’zezë, nuk e ngushëllon familjen si duhet, lë ndonjë fjalë që s’e ka vendin dhe familja e të vdekurit ndihet e fyer.

Kur shkohet në t’pame në Rrafshin e Dukagjinit, së pari ulja në odë është në gjunjë, në shenjë respekti për familjen për nderin e të vdekurit. Pastaj, pas fjalëve të para të zotit të t’pames, mysafiri pyet:

A u mërzitët!” (nuk pyetet si jeni?).

Ngushëllimi i parë i shkon anëtarit të ngushtë të familjes së të ndjerit ose njeriut më të vjetër të atyre që presin: “A u mërzitët për babën?” Përgjigjja: “U mërzitëm kapak!”

Mysafiri: “N’emnin tem, edhe gjithë ktyne që janë me mu, Zoti ju lashtë shno­shë!”

I zoti i të pamës: “Zoti ju paftë e ju rujt!” Atëherë i zoti i të pamës u thotë mysafirëve: “Rahatohuni!” (rrini lirshëm). Mysafirët ulen ashtu si u vjen më për mbarë, por pa i shtrirë këmbët, ulen këmbëkryq, në njërin gju (në odat tradicionale).

Në Rrafshin e Dukagjinit ka qenë traditë që kur kanë dalë prej t’panës nje­rëzit të mos u hipnin kuajve, por t’i tërhiqnin deri larg shtëpisë së të ndjerit, sepse hipja mbi kuaj është konsideruar si fyerje. Flitet se kur një mik shkon në të pame e gjen familjen e të ndjerit plot, me djem, me nipa, stërnipa, kushë­rinj, dhe ai sapo del nga dyert e oborrit menjëherë hip mbi kalë dhe vazhdon rrugën. Por mikut të tij i kishte mbetur hatri dhe është ndier i fyer. Pas disa ditësh kërkon shpjegim prej tij për këtë gjest. E ai i përgjigjet: “Unë erdha për kryeshnoshë, për vdekjen e babës, por e pashë që baba nuk kishte vdek, sepse e kishte lanë shpinë plot, prandaj i hipa kalit!” (komunikim i Sylë Kasumajt – Dushkajë, Rrafshi i Dukagjinit).

Në Rrafshin e Dukagjinit, kryesisht, përveç elementeve të shumta etnografike që e karakterizojnë një ceremoni siç është vdekja (e pamja), interesant del edhe biseda që zhvillohet në mes të vizitorëve (miq, të afërm, etj.) që vijnë për ngushëllime dhe të zotit të shtëpisë. Në pjesën dërrmuese biseda zhvillo­het përafërsisht si më poshtë, me pak dallime në të folme të ndryshme:

– A mun dult burra?

– Dulem kadal, a po mun boni gajret?

– Po munohemi, s’kish njeri shka me ba?

Në rastet kur i zoti i shtëpisë apo ai që është për “kryeshëndoshë” nuk e njeh prijësin e atij grupi, ai i drejtohet dikujt të njohur po nga ai grup:

Nimom pak (p. sh. Kolë/Hysen), a ndonjë emër tjetër.

Ai ia tregon emrin e prijësit të grupit, pastaj i zoti i shtëpisë i drejtohet:

 Kolë, a mun dult?

– Dulem kadal, a po mërziteni ju?

– Po mërzitemi kapak.

– Gajret/bonu t’fort/mos merziti (ka raste kur e fillon me Zoti ju lashtë shnoshë!), n’emnin tam e t’ktyne burrave që jemi, Zoti ju lashtë shnoshë!

– Kofshi shnoshë, ose mërzi mos paçi, ose Zoti u past e u rujt!

Pas këtij formaliteti, i zoti i shtëpisë apo dikush nga pritësit, që mund të ishte mik shtëpie, komshi etj., i drejtohet prijësit të grupit:

Nimona pak e zbutnani (hjeknani) ket merzi!

Kjo nënkupton që ai ose dikush nga grupi të fillojë të flasë diçka, ashtu si e kërkon rendi e vendi. Pas parashtrimit të kësaj kërkese (ose dhënies së lejes) për pak kohë mbizotëron qetësi e plotë. Në këto rrethana prijësi i grupit zako­nisht është njeri me përvojë dhe i përgatitur për raste të tilla, flet me kujdes, duke i përzgjedhur fjalët, si për nga ana shqiptimore (të jetë i qartë) ashtu edhe nga ajo kuptimore. Ai e fillon me një tregim (mesele) që e ka një me­sazh dhe një kuptim të fshehur. Jo gjithkush e merr vesh, mund të jetë provo­kues, e që natyrisht pasohet nga një mesele tjetër si përgjigje nga pritësit. Por, ka raste kur ky tregim (mesele), është metaforik për t’u dhënë ngushëllim e kurajë familjes, si:

I zoti i shtëpisë: folna dishka Shaban!

Vizitori e nis zakonisht kështu: Zoti u neroft’ o burra, ose paçi faqen e bardh’ (si shenjë falënderimi që po nderohet të flasë). Ish kon njani, burr i mir’ e me zo. Nuk kish pas lon t’pame pa shku. Ish kan edhe i meçem, e kishin pas thirr edhe me nda pleqni. Ni dit e veti gruja, ku ke sod ti njeri, e ai ja kthej, kesh me ni dek t’ran bre gru.

Ni dit tjeter, gruja ja boni t’njejten pytje, e ai ju pergjegj, kesh me ni gjysë deke. Ajo po e vet opet, pse sod gjys deke o ti njeri e at dit the dek t’ron. Aj ja kthej: eee dek e ron se ish kon djal i ri e nuk kish lon kon mrapa, ju kish mshel dera me therr, e ku ka ma ron oj fisnike. Edhe ky sod ish kon i ri, e per familje boll dhimt e madhe, po shyqyr e kishin shpin’ plot mashkuj, me djem e nipa, e per qita gjys deke se na ton deken e kemi hak (obligim). E nish (zaten), dhimta per ju o e madhe po shyqyr e kini plot shpin, e per qita e kini gjys deke, e Zoti ju lashtë shnosh!

I zoti i shtëpisë apo dikush nga rrethi i ngushtë ia kthen: T’lumt goja o mik (ose i drejtohet në emër). Ka raste kur tregimi i tillë pason me një nga pritësit, ose, me të përfunduar këtë, pas urimit të zotit të shtëpisë, udhëheqësi i vizitorëve e përsërit edhe një herë: Zoti ju lasht shnosh dhe çohen (Naim Berisha, Leksiku dialektor i Rrafshit të Dukagjinit).

Në Rrafshin e Kosovës, në Vushtrri me rrethina, zakonisht për ‘kryeshnoshë’ shkojnë në mënyrë të organizuar miqësia, shoqëria, apo familjarë të largët, apo edhe thjesht katundarët apo fqinjët, për t’i ngushëlluar për vdekjen. Kur të ulen mysafirët, zakonisht më i vjetri i pyet: ‘Burra a muj duelt’, apo ‘a hiçt zamet me ardh’, ndërsa ngushëlluesit thonë: ‘A u mërzit’, ‘mos u mërzitnide­ka është prej Zoti’, nëse ka vdekur më i vjetri në familja thonë: ‘Mos u mërzitni, dekë me ren’. Është traditë që për shkak të numrit të madh të nje­rëzve, të mos të qëndrojnë më tepër se 5 minuta. Para se të ngrihen mysafirët thonë: ‘Burra, mos u mërzitni’‘Zoti jua shtoftë sabrin (durimin) e gajretin’, ‘ishalla Zoti ka bo rahmet n’shpirtin e tij’ dhe kërkojnë leje për t’u ngritur. Të pranishmit i falënderojnë për këtë gjest të tyre, duke u thënë: ‘Zoti ju paft e u rujt’, ‘na keni nderu’. Kështu, përcillet e gjithë e pamja, duke pritur e për­cjellë njerëz.

E pamja organizohet veçmas te burrat, veçmas te gratë dhe ka karakter të fortë ceremonial edhe në zona të tjera të Kosovës. Te burrat caktohen ata që presin për kryeshnosh, të tjerët marrin vende përkatëse: disa më të vjetër qëndrojnë në dhomën e pritjes, kurse më të rinjtë presin në hyrje, në oborr, në paradhomë. I njëjti rregull është edhe te gratë. Edhe aty më të afërmit e të vdekurit qëndrojnë brenda, “rreth xhenȃzes” (kufomës). Derisa te burrat ka atmosferë qetësie, te gratë përcillet me vaje dhe nëse i vdekuri është i ri, edhe me kuje.

Fjalët që thuhen te gratë janë të ndryshme, varësisht nga mosha dhe nga afërsia. Nënës për fëmijën i thuhet: Mos u merzit, i paç tjert, t’i rujt zoti tjert!; Motrës për vëllanë: I paç tjert, exhelin aty e ka pas! Ishalla nuk ju bjen me harru! Aktet më të rënda janë kur arrijnë të afërmit, bijat dhe kurbetçarët. Ata krijojnë atmosferë të dhimbshme dhe ndodh që vaji të përhapet te të gjithë të pranishmit.

Dita e tretë merret si dita më e ngjeshur për kryeshëndoshë. Në rastet e vde­kjeve të femrave të martuara, mbas ditës së tretë, hapet e pamja (vajtja për kryeshëndoshë) edhe në familjen e prindërve. Si shprehje që e shoqëron gji­thë këtë ceremoni përgjithësisht në Kosovë është:

Zoti ju lashtë shňoshMos mërziteni, Zoti n’xhenet! Zoti n’xhenet ju per­pjekt!

Kur është vdekje e ndonjë plaku në atë lagje dëgjohet shprehja:

Asht dek me ren”.

Kur shkohet për “kryeshnoshë” caktohet prijësi, i cili i prin një grupi vëllezërish, shokësh apo miqsh dhe ai e ka për detyrë komunikimin me familjarët e të vdekurit. Ai i drejtohet kryefamiljarit me shprehjen:

O X, a jeni merzit?!

Kryefamiljari ia kthen: Jo shumë!

Ose nëse i vdekuri i përket moshës së re, kryefamiljari do t’i përgjigjet: Po mërzitemi valla!

Prijësi i grupit do të shtojë: Mos u mërzitni, Zoti ju lasht shënoshë! Krye­familjari ia kthen: Zoti t’patë e t’rujt! Pastaj prijësi do të vazhdojë:Edhe në emen t’ktyne vllazneve (apo shokëve) ç’e erdha me ta, Zoti ju lasht shňosh! Ose nëse do të jenë vetëm dy veta do të thoshte: Edhen’emen t’X, zoti ju lasht shňosh! Pritësi ia kthen: Zoti të ruajt ty dhe këta shokë.

Treva e Kosovës është e pasur me fjalë ngushëlluese. Një formë tjetër e ngushëllimit është edhe shprehja: shka jeni me gajret? Në disa vende edhe: shkajeni me saber? Ndërsa i zoti i shtëpisë i përgjigjet duke thënë: Po bâjmë!

Ndërsa ngushëlluesi ia kthen: Zoti ju çoft gajretin! E në disa raste: Zoti ju çoft sabrin! Kurse shqiptarët e besimit të krishterë e përdorin edhe formën:Ju shnosh! Brezi i vjetër i elementit mysliman përdor dendur edhe shprehjen: Zoti në xhenet ju përpjekt! Për sa i përket brezit të ri, formave të vjetra të ngushëllimeve po ua zënë vendin shprehjet “moderne”:Ngushëllime! Kjo ndoshta ndodh edhe për t’u dalluar nga brezi i vjetër, ose për të përfaqësuar një unitet kulturor.

Të pamën e përcjellin edhe biseda të cilat i shkojnë për shtat rastit. Ato bëhen për t’i dhënë lehtësi dhimbjes për të vdekurin, sidomos kur kemi të bëjmë me të vdekurin e moshës së re, apo për ndonjë njeri që ka pasur të kaluar të bujshme, tregohen lloj – lloj rastesh. P. sh.:

1. Shtatë të dekën e kanë rujt ni t’gjallë-një që â kon smut, shtatë vet e kanë rujt, ai është shërue e t’shtatit kanë dek para tina.

2. Deka s’ka yrrnekIsh kon njani e kish pas ni djalë për hasret. I kish hi tuta se do t’i diste djali, po ai thojke: ni ardht deka djalit tem, ishalla jo pi tri seneve: pi gjerpit, mu rrxu pi lisit dhe mu myt n’uj. U rrit djali e shkoi me xho. Breg ni prronit ish kon ni lis,. N’maje t’lisit ni strokëll. Hyp djali me mrri vo tё sheňisё, e han xherpni e bjen pi llisit e ň’uj. Pra deka s’ka yrnek.

Në rastet kur vdes ndonjë i sëmurë nga ndonjë sëmundje e rëndë (si kanceri apo paraliza) te gjinia femërore, në gjuhën e grave dëgjohet shprehja: E paska kurtalis Zoti!

Në ceremoninë e vdekjes sot në zonën e Rahovecit janë rralluar vajtimet, ndodh të dëgjohet ndonjë vajtim i rrallë kryesisht kur vdes ndonjë i ri apo e re. Në ato raste ngrihet lart kontributi i të vdekurit për familjen etj.: E ka myll deren e shpis, mjer nâna për tâ, aj a kurtalis, po shka me ju ba t’xhallveetj.

Në ditën e pestë është organizimi i t’shtatave. Të shtatat organizo­hen zako­nisht pas ditës së tretë të varrimit. Mbas të shtatave mbyllet e pamja, por ajo mund të vazhdojë të jetë e hapur edhe më tutje për një rreth më të ngushtë.

Kur vdekja ndodh në mesin e shqiptarëve katolikë në disa pjesë ndryshon përmbajtja e fjalëve. Në vend të fjalëve me prejardhje orien­tale thuhen fjalë krejtësisht shqip. P. sh.: Në vend të selamalejkum, thuhet: Ju ngjatjeta! Mirëdita! Në vend të “Merhaba” thuhet: Mirë se erdhe!, Rrini mirë etj(Fridrik Dulaj). /Revista “Akademia”

Related posts

Oxford shpallet sërish universiteti më i mirë, institucionet evropiane në rënie

E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

Këta janë fituesit e çmimit Nobel në Mjekësi