Përveç Albin Kurtit për disa takime joformale, në Berlin ishte të mërkurën dhe të enjten dhe një delegacion nga Lugina e Preshevës.
Ende pa eskortë policore erdhi fituesi i zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, Albin Kurti, në Berlin. Politikani ende në pritje për t’u bërë kryeministër i Kosovës dhe që me humor e quan situatën e tij aktuale në prag të negociatave për qeverinë e re, “potencialitet pa aktualitet”, i tha Deutsche Welles, se kishte ardhur “për t’iu falënderuar partnerëve gjermanë të partisë socialdemokrate për mbështetjen që i dhanë në fushatë” dhe për disa konsultime me funksionarë të lartë të qeverisë gjermane.
Një nga temat kryesore të bisedave të tij në zyrën e Kancelares Merkel, me këshilltarin e Sigurisë, Jan Hecker, dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme me drejtorin politik, Jens Plötner, ishte dialogu me Serbinë, siç raportoi Kurti vetë pas takimeve në media sociale.
Dialogu ishte edhe tema e bisedave që zhvilloi një delegacion tjetër shqiptarësh në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin, disa kate më poshtë se Kurti. Delegacioni nga Partia e Veprimit Demokratik (PVD) të Luginës së Preshevës, i përbërë nga Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanovcit, Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit të Shqiptarëve në Serbi dhe Ardita Sinani, nënkryetarja e PVD-së në Preshevë, kishte ardhur për të lobuar te qeveria gjermane për përfshirjen e pakicës shqiptare në dialogun Kosovë-Serbi.
Ende të diskriminuar
“Procesi i integrimit të Serbisë në BE është tepër i ngadalshëm, prandaj ne mendojmë se problemet tona mund të zgjidhen më së miri në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi”, i tha Shaip Kamberi, Deutsche Welles në përfundim të takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Kamberi tha se përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Preshevës në dialogun Serbi-Kosovë “mund të jetë më e shpejtë dhe më efikase për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, sepse në të kundërtën, problemet ekzistuese po ndikojnë që largimi në masë i popullsisë shqiptare nga ai rajon ta dëmtojë rëndë kombësinë shqiptare.”
Gati dy dekada po mbushen që nga konflikti i fundit i armatosur në Luginën e Preshevës në vitin 2001 dhe Shqiptarët e ndiejnë veten ende të diskriminuar. Tre marrëveshjet e nënshkruara deri tani mes përfaqësuesve të pakicës shqiptare dhe qeverisë së Beogradit (2001, 2009, 2013), që synonin zhvillimin ekonomik të rajonit dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në strukturat shtetërore, kanë mbetur ende në letër dhe nuk janë implementuar.
Ardita Sinani, ish-kryetare e komunës së Preshevës, shpjegon se shqiptarëve u mohohet e drejta për t’u punësuar në organet shtetërore, sepse nuk u njihen diplomat e marra në universitetet shqiptare në rajon. “Edhe pjesëmarrja proporcionale në administratën shtetërore, e garantuar me ligj, nuk respektohet, çka bën që Lugina e Preshevës të braktiset nga të rinjtë”, ankohet nënkryetarja e PVD-së, Delegacioni pati edhe një takim në Ministrinë e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik të Gjermanisë për të sensibilizuar për investime gjermane në Luginën e Preshevës.
Bashkimi zgjidhja e fundit për shqiptarët e Preshevës
Në vitin 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filloi t’u ngjallte shqiptarëve të Serbisë shpresën për bashkimin me Kosovën. “Për ne ka qenë një tundim dhe mbetet ende ëndrra jonë më e madhe”, pranon Shaip Kamberi. “Nëse lufta jonë politike nuk sjell rezultat, atëherë ideja e bashkimit shihet të jetë e vetmja zgjidhje që i eleminon këto e probleme.”
Dialogu Serbi-Kosovë për momentin ka ngecur për shumë arsye të ndryshimit të Komisionit të BE-së dhe zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe pritet të zvarritet deri pas zgjedhjeve të reja në Serbi. Albin Kurti, që pritet të jetë kryeministri i ri Kosovës, e ka theksuar vazhdimisht se nuk ka pse të ngutet për një proces që në fund mund t’i shërbejë vetëm Serbisë.
Delegacioni i Luginës së Preshevës nuk arriti ta takonte Albin Kurtin, megjithëse ata u ndodhën në të njëjtën kohë në Berlin. Por Kamberi është optimist se Albin Kurti, i cili edhe më parë vazhdimisht i ka mëshuar më shumë identitetit kombëtar shqiptar se atij te shtetit të Kosovës, do t’i mbështesë kërkesat e tyre./DW