Disa shoqata joqeveritare në Luginën e Preshevës kanë publikuar një reagim ndaj deklaratës së fundit të Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog, Demo Berisha, gjatë vizitës së tij në Bujanoc, në lidhje me “Planin 7-pikësh”.
Në një reagim të përbashkët, shoqatat theksojnë se Plani 7-pikësh është dokument i miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, pas një procesi negociatash me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Luginë, si dhe me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.
“Çdo tentativë për ta relativizuar këtë dokument është përpjekje për të shmangur zbatimin e tij,” thuhet në reagim.
“Deklaratat e ministrit janë përpjekje për të zvarritur procesin dhe për të futur çështjet e shqiptarëve në një cikël të ri të bisedimeve të pafundme.” thuhet në reagimin e nënshkruar nga 20 shoqata.
Shoqatat nenshkruese të reagimit theksojnë se Plani 7-pikësh mbetet aktual edhe sot, përfshirë: përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, simbolet kombëtare, përfaqësimin proporcional në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, dhe njohjen e diplomave.
Këto shoqata kërkojnë nga Qeveria e Serbisë dhe faktori ndërkombëtar që të zbatohet pa vonesa ky plan, dhe jo të zëvendësohet me nisma të reja pa marrëveshje politike dhe konsensus të gjerë.
“Çdo iniciativë e njëanshme pa marrëveshje të gjerë politike e shoqërore, humb fuqinë dhe legjitimitetin përpara qytetarëve,” thuhet në fund të deklaratës.
Reagimi është mbështetur nga 20 shoqata nga Presheva dhe Bujanoci, përfshirë: Qendrën për të Drejtat e Njeriut, Drejtorinë për Inkluzion, Vizionin për Zhvillim, Femrat Bujanoc, Media Index, Spek3 dhe disa të tjera të cilat nuk kanë vendosuar as vulë e as nënshkrim nga kush përfaqësohen.
Në pjesën e shoqatave që kanë përkrahur këtë reagim vërehet mungesa e organizatave joqeveritare kredibile të Luginës, të cilat janë aktive në fushën e të drejtave të njeriut, pakicave dhe avokimin e politikave rinore e antidiskriminuese për shqiptarët në Luginën e Preshevës.