DER SPIEGEL: NËNKANCELARI AUSTRIAK KAPET NË AFERË KORRUPTIVE MILIONSHE ME NJË RUSE

Sipas revistës «Der Spiegel» dhe të përditshmes «Süddeutsche Zeitung» në vitin 2017 politikanët e së djathtës ekstreme austriake Heinz-Christian Strache dhe Johann Gudenus takuan në ishullin Ibiza një ruse, e cila u prezantua si investitore. Strache dhe Gudenus, të dy politikanë prorusë dhe proserbë si dhe kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, i premtuan ruses tenderë nëse ajo do t’u jepte para për fushatën elektorale. Opozita në Austri ka kërkuar dorëheqjen e Straches, i cili është nënkancelar.


Në korrik të vitit 2017 Heinz-Christian Strache, kryetar i partisë së djathtë populliste të Austrisë, FPÖ, dhe kolegu i tij partiak Johann Gudenus takuan në ishullin spanjoll të Ibizas një ruse. Ajo u prezantua si mbesë e një oligarku rus. Strache dhe Gudenus i thanë ruses se ajo do të fitonte tenderë shtetërorë në Austri nëse do t’u paguante atyre para për të financuar fushatën elektorale. Këtë e dëshmojnë incizimet sekrete, të cilat i kanë siguruar revista «Der Spiegel» e Hamburgut dhe e përditshmja «Süddeutsche Zeitung» e Münchenit.

Rrëfimi i këtyre dy mediumeve do të botohet nesër në tërësi. dialogplus.ch e ka parë paraprakisht materialin, i cili ka gjasa të rrisë presionin kundër Heinz-Christian Straches për të dhënë dorëheqje nga posti i nënkancelarit të Austrisë. Strache është partner i koalicionit i kancelarit Sebastian Kurz nga Partia Popullore (ÖVP). Njëri nga gazetarët e «Der Spiegel» që e ka shkruar raportin thotë se takimi i Straches dhe Gudenus me milioneren e rrejshme ruse i ngjan një punëtorie nga një republikë e bananeve.

Rusja, e cila – siç shihet në fotografi – kishte mbuluar trupin me shumë pak tekstil, premtoi se do të investonte në Austri një çerek miliardë euro. Ajo disa herë la për të kuptuar se një pjesë e parave janë ilegale. Megjithatë, Strache dhe Gudenus gjatë takimit nuk lënë përshtypjen se merakosen për këtë. Gjatë bisedës gjashtëorëshe ata diskutuan mundësi të ndryshme për investimet e ruses në Austri. Mediat gjermane supozojnë se takimi ishte një kurth për Strachen dhe Gudenusin.

Mes opsioneve që diskutuan dy politikanët austriakë ishte blerja e gazetës «Kronen Zeitung» nga rusja. «Nëse ajo e blen ‘Kronen Zeitung’ tri javë para zgjedhjeve dhe na ndihmon të dalim të parët në zgjedhje, atëherë mund të flasim për gjithçka», thotë Strache. Ai thotë se rusja mund të marrë çdo tender, madje i sugjeron asaj të themelojë një firmë si «Strabag» (ndërmarrje ndërtimore austriake). «Të gjithë tenderët shtetërorë që i merr Strabagu, do t’i marrë ajo pastaj».

Pas bërjes publike të këtij skandali partitë opozitare në Austri kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kancelari Sebastian Kurz ka zgjedhur të heshtë. Në takimin e zhvilluar në Ibiza, Strache dhe Gudenus diskutuan edhe për ndërtimin e një sistemi ilegal për financimin e partisë së tyre, FPÖ. Strache ka pranuar se është takuar me një grua që është prezantuar si ruse. Takimi në Ibiza, sipas tij, ka qenë krejtësisht privat dhe është zhvilluar në një atmosferë të lirë pushimesh. Strache ka nënvizuar se gjatë takimit ka insistuar se duhet të respektohen ligjet austriake nëse rusja dhuron para për partinë e tij, por njëkohësisht ka bërë të ditur se gjatë takimit është pirë shumë alkool dhe ka ekzistuar një barrierë e lartë gjuhësore.

Strache është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Në shkurt të vitit 2018 gazeta serbe «Politika» e citoi atë me këto fjalë: «Kosova është Serbi». Një zëdhënës i Straches e demantoi njoftimin, ministrja e Jashtme Karin Kneissl tha se njohja e Kosovës nga Austria është fakt i paluajtshëm, por prapëseprapë Strache mbetet një politikan proserb në Vjenë. Në të kaluarën ai ka bartur një T-Shirt me shënimin: «Kosova është zemra e Serbisë» dhe ka marrë pjesë në tubime në Beograd kundër shtetësisë së Kosovës. Për të treguar afërsinë me ortodoksinë serbe, Strache bart në dorë një «brojanica», njëfarë tespihe-byzylyku që e bartin sidomos popët ortodoksë dhe besimtarët e përkushtuar. Në takimin me rusen në Ibiza përveç Straches dhe Gudenuesit mori pjesë edhe gruaja e këtij të fundit, serbja me origjinë nga Banjalluka, Tajana Tajçiq.

«Der Spiegel» dhe «Süddeutsche Zeitung» kanë njoftuar se incizimet i kanë verifikuar në disa mënyra përmes ekspertizave të kryera nga ekspertë dhe nga një institut gjerman. Supozohet se për takimin në vilën në Ibiza ka pasur dijeni humoristi gjenial gjerman Jan Böhmermann. Me rastin e pranimit të një çmimi austriak në prill, Böhmermann tha se momentalisht ishte hallakatur nga kokaina dhe Red Bulli dhe po bënte qejf me ca miq nga partia FPÖ në një vilë të një oligarku rus në Ibiza, ku po flitej edhe për blerjen e «Kronen Zeitung». Atëbotë kjo tingëlloi si anekdotë, tani doli të jetë e vërtetë. Partia e ekstremit të djathtë FPÖ në Austri mban lidhje të ngushta me partinë e shefit të Kremlinit, Vladimir Putin. Ministrja e Jashtme Kneissel, e cila nuk është anëtare e FPÖ-së, por është propozuar prej saj për të marrë postin e kryediplomates, vitin e kaluar e ftoi në dasmën e saj Putinin. Ai erdhi dhe Kneissel i ra në gjunjë.

Qeveria aktuale austriake konsiderohet si më prorusja në vendet anëtare të BE-së. Rastësi apo jo: Austria në 9 muajt e fundit ka qenë mbështetëse e madhe e ndarjes së Kosovës. Kancelari Sebastian Kurz, komisioneri austriak i BE-së Johannes Hahn, ish-diplomati Wolfgang Petritsch kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e terrenit për atë që quhet «korrigjim i kufijve të Kosovës» dhe në fakt është lojë ruso-serbe, të cilës i janë bashk. /dialogplus/.

Related posts

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif

Përgatitjet e NATO-s për një luftë të re