Çfarë pritet të ndodhë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë?

Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se takimi i 27 qershorit i Kosovës dhe Serbisë, i caktuar nga administrata e Trumpit, do të zgjasë 3 ditë. Mbi 90 për qind, aty do të dominojnë temat ekonomike, për të cilat amerikanët do të përpiqen të sigurojnë një marrëveshje ndërmjet palëve.


Emisari i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, befasoi shumëkënd të hënën, kur e publikoi datën e takimit Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë. Në radhë të parë, data e takimit ishte e papritur edhe për evropianët, të cilët e kishin nisur emisarin e tyre, sllovakun Lajçak, drejt Prishtinës, i cili po ashtu po planifikonte ta sillte datën e takimit ndërmjet palëve në Bruksel. Por, udhëtimi i tij u komplikua në Zvicër dhe Lajçaku arriti në destinacion jo me pak peripeci.

Grenell, në cilësinë e të ngarkuarit me punën e bisedimeve para pandemisë, ka arritur t’i bindë Kosovën dhe Serbinë për dy marrëveshje, njëra për vendosjen e një linje ajrore Prishtinë – Beograd dhe tjetra për hekurudhat.

Pala kosovare e as ajo serbe ende nuk i kanë caktuar delegacionet që do të shkojnë në kryeqytetin amerikan, por pritet që atje do të udhëtojnë presidentët dhe kryeministrat e dy vendeve.

Kryeministri Hoti sot, duke folur për këtë temë, ka thënë se paraprakisht ka marrë vesh se atje nuk do të ketë një marrëveshje të gatshme që vetëm do të nënshkruhet, duke lënë të kuptohet se palët do të zhvillojnë negociata.

Gazeta Express nga burimet e saj merr vesh se takimi i Washingtonit do të zgjas 3 ditë dhe në fokus do të jenë çështjet ekonomike, më saktë mbi 90 përqind e përmbajtjes së tyre.

Por, mbetet e paqartë nëse pas këtij takimi amerikanët do të organizojnë edhe një tjetër pas këtij rundi.

“Mbetet e paqartë a do të ketë rund të dytë të bisedimeve para zgjedhjeve në SHBA”, ka thënë një burim i Gazetës.

Se ekonomia do të dominojë në këtë event ka thënë kohë pas kohe edhe Grenell ndërkohë që këtë e ka konfirmuar edhe Vuçiq i cili dje tha se amerikanët janë të interesuar për çështjet ekonomike.

Sido që të jetë zyrtarisht as në Prishtinë as në Beograd s’kanë dhënë detaje rreth përmbajtjes së bisedimeve.

Ndryshe, Lajçak i cili po ashtu po përpiqet t’i rikthejë palët për bisedime në Bruksel ka thënë se tashmë i ka datat dhe agjendën për bisedime, por s’ka folur më shumë.

Grenell në postimin e tij ku bëri me dije se ka ftuar palët në Washington ka lënë të kuptohet se amerikanët do të insistojnë fort për marrëveshje.

“Nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të kthehen në ‘status quo’ pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. I pres me padurim këto diskutime”, ka shkruar emisari amerikan të hënën.

Për ngjarjen mbrëmë u deklarua edhe Robert O B’rien, këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump, i cili paralajmëroi diskutime të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë.

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë