CAKAJ NUK ARRIT TË UNIFIKOJË PËRFAQËSUESIT POLITIK TË LUGINËS

Siç ka raportuar para dy ditëve PreshevaPRESS, udhëheqësit politik nga Lugina kanë udhëtuar për Tiranë gjatë ditës së djeshme për të u takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj në një darkë pune.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë Cakaj, takimin e përbashkët me liderët e partive politike shqiptarë në Luginë e ka ftuar për të tentuar edhe një herë krijimin e një liste të vetme shqiptare në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që planifikohen të mbahen në pranverën e vitit 2020. Agjenda ka filluar dje me një darkë pune e cila ka zgjatur më shumë se 3 orë dhe ka vazhduar sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. 

Ministri Cakaj përmes një postimi në facebook rreth takimit me përfaqësuesit politik të Luginës nuk ka përmendur askund çështjen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi që pritet të mbahen gjatë pranverës së ardhshme, duke lënë të kuptohet se ka dështuar të sigurojë garancinë për unifikimin e faktorit politik në Luginë rreth listës së përbashkët pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

“Bashkëkombësit tanë në Serbi nuk janë vetëm një faktor margjinal por një aset shumë i vyer shoqëror e kombëtar. Ne do të vazhdojmë të artikulojmë shqetësimet e përbashkëta dhe të punojmë pakursyer në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të tyre !” thuhet mes tjerash në postimin e ministrit Cakaj në faqen e tij në facebook.

Cakaj në postimin e tij ka deklaruar se është biseduar rreth problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës duke përmendur pasivizimin e vendbanimeve në Luginë të Preshevës, njohja e teksteve mësimore në shkolla fillore e të mesme e përdorimi i papenguar i simboleve kombëtare si dhe  përfshirja proporcionale në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore.

Vlen të ceket se para zhvillimit të takimit të thirrur nga ministri Cakaj me përfaqësuesit politik të Luginës, nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Ilir Sadriu është i vetmi që ka komentuar në lidhje me zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen vitin e ardhshëm duke thënë se qëndrimi i PDSH-së është i qartë dhe i kamotshëm për mospjesëmarrje në këto zgjedhje, qëndrim ky që sipas informacioneve që ka siguruar PreshevaPRESS është mbrojtur fuqishëm edhe në takimin e përfaqësuesve politik të Luginës me ministrin Cakaj nga kryetari i PDSH-së Ragmi Mustafa.

Në takim siç ka raportuar PreshevaPRESS përveç kryetarëve të partive politike shqiptare në Luginë, te ftuar kanë qenë edhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi z.Fatmir Hasani, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Ragmi Mustafa dhe përfaqësuesi i APN-së në Medvegjë, Muharrem Salihu derisa në darkën e mbrëmshme prezent ka qenë edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

Related posts

Presheva dhe Bujanoci pa energji elektrike të dielën

Edhe pas më shumë se 24 orë nga grabitja në Tërnoc pa gjurmë të autorëve

Memeti i APN-së: Rritja e çmimeve për shërbimet e NP “Moravica” u bë në kundërshtim me ligjin