Brnabic: Rreth 50% e ministrave do të jenë gra, marrëveshja me Prishtinën është çështje sigurie

E mandatuara për themelimin e Qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se rreth 50% e ministrave të rinj do të jenë gra dhe se dy ministri të reja me siguri do të formohen, përfshirë Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogut Social.


Ajo deklaroi se ministri që do të drejtojë atë departament “nuk do të  jetë punë e lehtë”.

Bërnabiq për TV Pink tha se ajo ende nuk mund të flasë për emra dhe partnerë të mundshëm të koalicionit derisa t’i paraqesë ata në sesionin e presidencës së Partisë Progresive Serbe (SNS) e cila udhëheqë me pushtetin, dhe të marrë mbështetjen nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe pjesa tjetër e partisë.

Ajo shtoi se shumë shpejtë do të dërgojë propozimin Parlamentit të Serbisë dhe se qeveria e re e Serbisë do të formohet “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ekspozea është gati, kam punuar shumë me ekipin tim gjatë dhjetë ditëve të fundit në të… Qytetarët do të dinë se çfarë duam të bëjmë deri në vitin 2025,” tha Brnabic, duke shtuar se sfidat me të cilat do të përballet qeveria e re do të jenë më të mëdhaja, në mënyrë që të vazhdojmë mbajtjen e ritmeve të larta të rritjes ekonomike.

Si një nga gjërat kryesore nga ekspozea, kryeministrja e deritanishme tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të ketë një nga vendet më të rëndësishme, por ajo nuk pranoi të komentonte nëse kjo do të thotë një ndryshim në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

E pyetur nëse ishte e vërtetë që disa ministra “shkuan në ambasada të huaja” dhe kërkuan mbështetjen e vendeve të tjera për të qëndruar në qeveri, Bërnabiq tha se kjo është e vërtetë dhe se ishte “gjëja më e keqe e mundshme që dikush mund të bënte”.

“Nëse ndonjë ambasadë e huaj lobon që dikush të jetë në qeveri, shanset e tyre për të hyrë në qeveri zvogëlohen proporcionalisht” tha Brnabic.

Për kritikat se formimi i autoriteteve ekzekutive ka ecur shumë ngadalë, ajo tha se kjo ndodhë për shkak se “besimi më i madh i qytetarëve do të thotë përgjegjësi më e madhe”.

“Kur merrni kaq shumë besim nga qytetarët … Ju me të vërtetë uleni dhe mendoni se si të e justifikoni kaq shumë besim që qytetarët ta kanë dhënë. Ju mund të formoni një qeveri në tre minuta kur keni një shumicë të tillë,” tha Brnabic.

Ajo shtoi se, megjithëse për një numër të madh vendimesh vendos vetë, për shumë çështje ajo konsultohet me Vuçiqin.

“Shumë politikanë nga vende shumë më të përparuara do të konsultoheshin me Vuçiqin nëse do të mundnin dhe unë kam një mekanizëm me të cilin mund ta bëj atë,” tha Brnabić.

Duke komentuar deklaratat e përfaqësuesit special të BE për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajcak, i cili tha se marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës nuk do të ishte pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Brnabic tha se BE është fajtore për mos zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për shumë vite.

Bërnabiq shtoi se është “zhgënjyese” për të që në raportin e Komisionit Evropian nga viti në vit përsëriten të njëjtat fjali, pavarësisht nëse Prishtina ka bërë diçka apo jo, si dhe fakti që kapitulli i destinuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradin dhe Prishtinën ishte tërësisht i njëjtë.

“Kjo për ne është e papranueshme . Unë i kam thënë (Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver) Varhelyi se ështe fyese, kur të dy palëve i kërkohet të përkushtohen më shumë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet, jo si një organizatë jo-qeveritare, por si e tillë siç ishte qëllimi dhe siç ishte rënë dakord brenda Marrëveshjes së Brukselit “, thotë Brnabić.

Ajo gjithashtu vlerëson se arritja e një marrëveshje me Prishtinën është çështje sigurie, se qëllimi është të shmanget një shpërthim i mundshëm i konfliktit të armatosur dhe se Serbia ka shumë më shumë për të humbur nga Kosova, duke pasur parasysh përparimin që ka bërë në sferën ekonomike.

“Kam frikë se politikanët në rajon, kur nuk kanë ide që duhet të çojnë në një cilësi më të lartë të jetës (për qytetarët e tyre), krijojnë tensione në mënyrë që të largojnë vëmendjen nga problemi,” tha Brnabić. /n1info.com

Related posts

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut

KFOR: Ishim të informuar për patrullimin e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare

ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë