Bashkia Tiranës do të mbulojë harxhimet e akomodimit në konvikte për 10 studentë nga Lugina

Nisma e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme “Për shqiptarët në rajon”, nisi në mars të këtij viti me bursat e studimit, që 5 universitete e Republikës së Shqipërisë do të ofrojnë çdo vit akademik, për studentë të Luginës së Preshevës.


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani pati deklaruar se, studentët nga Lugina e Preshevës do të përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare.

Pasi që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka siguruar bursat për studentët e Luginës së Preshevës që do të fillojnë studimet në fakultetet shqiptare, KKSH ka paraqitur kërkesën për Bashkinë e Tiranës, që të mbulojë edhe harxhimet e tyre për akomodim në konviktet e Tiranës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, përmes një njoftimi të publikuar në Facebook, ka njoftuar dje, se Bashkia e Tiranës do të mbulojë harxhimet e 10 studentëve të Luginës (5 meshkuj dhe 5 femra), që do të akomodohen në konvikte.

Në vazhdim ju sjellim njoftimin e KKSH në lidhje me këtë lajm:

Falë nismës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kryetari i Bashkisë Tiranë z.Erion Veliaj ka konfirmuar gadishmërinë e Bashkisë Tiranë për të akomoduar në konviktet e Tiranës 10 studentë nga Lugina e Preshevës pa tarifë akomodimi.

Këshilli Kombëtar Shqiptar falenderon z. Veliaj për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve të Luginës.

Shërbimi për informim i KKSH

08.10.2024

Related posts

Publikohet lista e përfituesve në konkursin për masat e efikasitetit energjetik në Preshevë për vitin 2023

Dokument / Pozitat udhëheqëse që do të i takojnë Aleancës për Luginën në Komunën e Preshevës

KDNJ ka mbajtur tribunën “(Mos)integrimi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi”