APN NË PRESHEVË VENDOS PËR KANDIDATËT PËR DEPUTET, PA KONSULTUAR DEGËT E BUAJNOCIT DHE MEDVEGJËS

Nënshkrimi i marrëveshjes së iniciuar nga Tirana, kryesisht nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Caka, për themelimin e një liste të vetme zgjedhore të shqiptarëve të Luginës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të mbahen më 21 qershor u promovua si lajm pozitiv dhe historik.


Edhe pse të gjitha partitë shqiptare përveç Partisë Demokratike Shqiptare u pajtuan të bashkëveprojnë në zgjedhjet parlamentare, kjo nuk doli ashtu kur erdhi koha për të nominuar kandidatët e tyre. Alternativën për Ndryshim dhe kryetari i saj, Shqiprim Arifi, ditëve të fundit po akuzohen se po e sabotojnë fshehurazi procesin për finalizimin e listës zgjedhore.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, brenda partisë Alternativa për Ndryshim filloi përçarja dhe krijimi i fraksioneve që mbështetnin tri kandidaturat tanimë të njohura për publikun e që janë Armend Aliu, Argjend Bajrami dhe Qenan Kamberi. Përçarjet brenda APN-së për herë të parë dolën në pah me dështimin dhe shtyrjen e mbajtjes së seancës së parë të Kuvendit Komunal për tri herë radhazi.

APN thirri mbledhjen e kryesisë më 15.03.2020 për të vendosur për emrin e kandidatit kryesor të kësaj partie në listën për zgjedhjet parlamentare, por ajo u ndërpre me arsyetimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi.

Edhe pse kriza e krijuar nga koronavirusi Covid19 u pa si mundësi për të fituar kohë dhe punuar në ftohjen e gjakrave mes fraksioneve, kjo gjë shkoi edhe më keq duke thelluar përçarjen deri në nivel të pamundshëm për të u rikuperuar.

Alternativa për Ndryshim ka ftuar për nesër mbledhjen e kryesisë, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është përcaktimi i kandidatëve për deputetë nga kjo parti në listën e përbashkët zgjedhore. Mbledhja e kryesisë së APN-së është thirrur përmes një mesazhi, e siç PreshevaPRESS merr vesh nga burimet e saja brenda kryesisë së APN-së, ne mbledhje nuk janë të thirrur përfaqësues nga degat e Bujanocit dhe Medvegjës.

“Te nderuar,  kete te shtune 16.05. filluar nga ora 21.30 do te mbajm mledhjen e rradhes me vetem nje pike te rendit te dites; percaktimi i kandidateve per listen e perbashket te partive shiptare per zgjedhjet parlamentare te cilet jane ne prag. Pjesermarja juaj eshte e domesdoshme! Me respekt” është mesazhi i cili i është dërguar anëtarëve të kryesisë së degës së APN-së në Preshevë.

PreshevaPRESS ka provuar të kontaktojë me kryetarin e degës së Bujanocit dhe të Medvegjës mirë por deri në këto momente nuk ka pranuar një përgjigje nga asnjëri prej tyre.

Related posts

Kuvendit Komunal në Preshevë miraton llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitit 2024

Qeveria e Kosovës në detyrë ndan mbi 626 mijë euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit për shqiptarët në Luginë të Preshevës

Të hënën mblidhet Kuvendi i Komunës së Preshevës, diskutohet shfrytzimi i Buxhetit për vitin paraprak

/