Siç ka raportuar PreshevaPRESS mbrëmë, Alternativa për Ndryshim pas publikimit të aktakuzës kundër kryetares Ardita Sinani, mbrëmjen e sotshme ka realizuar konferencë për media.
Sikurse është paralajmëruar në faqen e partisë Alternativa për Ndryshim në rrjetin shoqëror facebook, konferenca për media ka filluar në ora 20:00, ku kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, dhe këshilltari i kësaj partie në Kuvendin e Komunës së Preshevës, Almin Shaqiri, kanë folur rreth ngritjes së aktakuzës kundër kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Konferencën për media, e ka hapur këshilltari komunal i APN-së, Almin Shaqiri. Ai gjatë adresimit të tij në këtë konferencë ka kritikuar heshtjen e partnerëve të koalicionit udhëheqës në Preshevë.
“Ne kemi raste si në rajon po edhe më gjërë, që në momentin e konfirmimit të aktakuzës ndaj çdo lideri politik i cili mban përgjegjësi institucionale dhe publike në drejtimet e institucioneve, menjëherë pason dorëheqja, derisa edhe pse kaluan 24 orë nga konfirmimi publik i aktakuzës, ende nuk kemi asnjë reagim të vetëm nga Ardita Sinani, e as nga partnerët e koalicionit udhëheqës në Preshevë” ka thënë mes tjerash Shaqiri gjatë kësaj konference për media.
Ai ka kërkuar nga partitë politike që udhëheqin me PVD-në Preshevën, organizatat joqeveritare dhe mediat të mos heshtin, duke i akuzuar ata se kanë bë propagandë politike kundër APN-së, duke ia kaluar fjalën kryetarit të APN-së, Shqiprim Arifi.
Kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, gjatë adresimit të tij në këtë konferencë për media ka shpjeguar se aktakuza në fjalë ka të bëjë me shkelje të procedurave ligjore gjatë shpërndarjes së subvencioneve për përkrahjen e bizneseve lokale gjatë vitit 2017, duke e paralajmëruar edhe një të ngjashme për procesin e ndarjeve së subvencioneve për përkrahjen e bujqve gjatë të njëjtit vit.
Arifi ka përsëritur kërkesën e APN-së për kryetaren e Preshevës duke ftuar atë për të dhënë dorëheqje, duke përsëritur kritikat për mediat lokale se po dalin në krah të pushtetit dhe nuk po publikojnë lajmin për ngritjen e aktakuzës.
Më poshtë mundeni të ndjekni konferencën e plotë të APN-së: