Aksion për kontrolle të shtuara trafiku nga 16 deri më 22 shtator 

Ma fillim nga dita e martë, më 16 shtator, e deri të hënën, më 22 shtator, Policia e Trafikut në Serbi do të zhvillojë kontrolle të shtuara në kuadër të aksionit evropian të sigurisë rrugore.


Aksioni realizohet njëkohësisht në 34 shtete anëtare të rrjetit ROADPOL Policia Evropiane e Trafikut, si pjesë e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë.

Fokusi kryesor i këtij aksioni do të jetë siguria e drejtuesve të mjeteve me dy rrota: motoçikleta, mopedë, biçikleta dhe automjete të lehta elektrike. Këta përdorues rrugësh konsiderohen ndër më të cenueshmit në trafik dhe për këtë arsye kontrollet do të jenë të përqendruara te ata.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se që nga fillimi i vitit, drejtuesit e mjeteve me dy rrota kanë qenë të përfshirë në çdo të katërtin aksident trafiku me pasoja fatale ose lëndime. Statistikat tregojnë se më shumë se gjysma e aksidenteve me viktima dhe rreth dy të tretat e atyre me të lënduar janë shkaktuar nga drejtues të automjeteve të tjera motorike.

Në kuadër të kësaj jave, e enjtja, më 18 shtator, do të shënohet si Dita Pa Aksidente Trafiku. Ideja është që të gjithë përdoruesit e rrugës – drejtues, këmbësorë dhe pasagjerë – të kontribuojnë për një ditë pa viktima në trafik. Këtë vit, theksi i veçantë është te vetëdijesimi i drejtuesve të dy rrotave, për të respektuar rregullat dhe për të qenë më të kujdesshëm në rrugë.

Policia apelon për bashkëpunim dhe respektim të rregullave të qarkullimit nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në mënyrë që të parandalohet çdo humbje jete e panevojshme.

Related posts

Presheva, një qytet nga ku është e pamundur të udhëtosh me transport publik

Katër persona të plagosur në St. Gallen: arrestohet një shtetas i Serbisë

Ligji për të huajt dhe automjetet në Kosovë / Hapet Zyra për lehtësimin e procedurave për qytetarët e Luginës