Agjërimi gjatë Ramazanit, udhëzime nga ekspertët shëndetësor për iftarin, syfyrin dhe personat me sëmundje kronike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë rekomandime lidhur me ushqimet që duhet të komusojnë personat që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit.


Përmes një njoftim IKSHPK ka bërë të ditur se muaji i Ramazanit sjell një ndryshim të përditshmërisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në stilin e jetesës, ushqyerjen dhe ritmet e trupit.

Rekomandime janë dhënë edhe për agjërimin për personat që janë të prekur nga diabeti, hipertensioni, për nënat shtatzënë dhe gjidhënëse.

Ndërsa, personat që marrin barna është thënë se duhet të bisedojnë me profesionistët shëndetësorë para se të ndryshojnë regjimin e tyre për Ramazan.

Gjatë këtij muaji, sipas IKSHPK-së, agjërimi ndikon në metabolizëm, hidratim, orare të gjumit dhe aktivitetin fizik, prandaj kujdesi për shëndetin ka rëndësi të veçantë.

Ky Institut rekomandon dieta të balancuara dhe në mënyrë që personat të qëndrojë të hidratuar, të pinë mjaftueshëm ujë dhe të konsumojnë ushqime të lëngshme si supë, gjellë dhe sallatë.

Sipas IKSHPK-së, personat që agjërojnë duhet të shmangin pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer, siç thuhet në njoftim, për të evituar dehidratimin dhe kaloritë e tepërta.

Për Iftar, sipas IKSHPK-së persona që agjërojnë duhet të konsumojnë hurme, drithëra integrale, mish pa yndyrë dhe të shmangin ushqimet e skuqura e të papërpunuar.

“Për iftar, zgjidhni një vakt të shëndetshëm: filloni me hurma, ujë, shtoni perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk. Kufizoni ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara. Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen”- thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Kurse për syfyr sipas IKSHPK-së, persona që agjërojnë rekomandohet të konsumojnë një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, dhe një burim yndyre të shëndetshme si avokado. Syfyri, sipas këtij Instituti nuk duhet të anashkalohet.

“Shmangni ëmbëlsirat e tepërta, kripën dhe brumërat me yndyrë. Për ëmbëlsirë zgjidhni fruta të freskëta sezonale. Syfyri nuk duhet të anashkalohet dhe as të zëvendësohet vetëm me konsumimin e ujit, pasi kjo mënyrë e të ushqyerit mund të dëmtojë shëndetin”- thuhet në njoftim.

Sipas IKSHPK-së, qëndrimi për orë të gjata pa ushqim ndikon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që, siç ceket më tej në njoftim e bën personin më pak energjik, më pak të lëvizshëm dhe më pak produktiv.Instituti rekomandon përdorim të mënyrave të shëndetshme gatimi si avullimi, pjekja ose gatimi me pak vaj, e më pak krip duke përdorur erëza për shije.

Gjithashtu IKSHPK rekomandon një ecje të rregullt.

Rekomandimi për personat me diabet dhe hipertension

Sipas IKSHPK-së, agjërimi për personat me diabet mund të sjellë komplikime si ulje e sheqerit në gjak, rritje e sheqerit në gjak, dehidratim dhe ketoacidozë diabetike tek personat me diabet të tipit 1.

“Për këtë arsye, njerëzit me diabet të tipit 1 zakonisht këshillohen të mos agjërojnë”- thuhet në njoftim.

Ndërsa për personat me diabet të tipit 2 dhe me hipertension, të cilët e kanë gjendjen nën kontroll – qoftë përmes dietës apo medikamenteve – mund të jenë në gjendje të agjërojnë.

“Megjithatë, vendimi për të agjëruar duhet të merret individualisht, gjithmonë në konsultim me profesionistët shëndetësor, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore dhe nivelin e rrezikut”- thuhet postimin e IKSHKPK-së.

Agjërimi gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies

IKSHPK thotë se nënat shtatzëna ose ato që ushqejnë me gji, nëse janë të shëndetshme, mund të marrin parasysh agjërimin.

“Por, ashtu si me diabetin, vendimi duhet të merret individualisht dhe vetëm pas konsultimit me profesionistët shëndetësor, duke vlerësuar rreziqet e mundshme për nënën dhe foshnjën”- thuhet në njoftim.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Temperaturat e javës së ardhshme parashihen të jenë pranverore.

PreshevaPRESS

Publikohen çmimet e reja të karburanteve për javën e ardhshme

PreshevaPRESS

Sot shënohet Dita Botërore e Radios

PreshevaPRESS