Marrëveshja për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc është nënshkruar por aktivitetet infrastrukturore janë anuluar për shkak të Kovid-19 kështu që takimi i ardhshëm bilateral me Serbinë do të shfrytëzohet që të flitet edhe në këtë temë, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, në rajonin e Kumanovës, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve kur pritet hapja e vendkalimit kufitar Llojan – Miratoc.
“E dini se kryeministri i mëparshëm Spasovski i nënshkroi marrëveshjet, që kur ishte ministër i Punëve të Brendshme. Besoj se një pjesë e madhe e aktiviteteve siç janë edhe aktivitetet e tilla infrastrukturore janë anuluar për shkak të Kovid-19 por gjithsesi marrëveshjet janë nënshkruar, unë besoj se takimet e para bilaterale me Serbinë që gjatë periudhës së ardhshme do t’i shfrytëzojmë do të jenë një prej temave kryesore për vendkalimin kufitar Llojan – Miratoc, pasi të dyja palët e përcaktuan përmes nënshkrimit me ç’rast e shprehën qëllimin e tyre se do të vazhdojmë ta formojmë, ndërtojmë atë vendkalim kufitar dhe siç e dini atje kemi grant të bukur dhe të vlefshëm nga Norvegjia dhe qytetarët e Norvegjisë të cilat do të duhet t’i shfrytëzojmë. Gjithçka është e nevojshme do ta bëjmë të dyja palët që ky vendkalim të hapet. Ne jemi të përgatitur dhe besoj se në takimin e parë bilateral me Republikën e Serbisë do t’i definojmë edhe aktivitetet e tyre kur kjo duhet të përfundojë prej palës së tyre”, deklaroi kryeministri.
Ai pret që takimi i parë bilateral me presidentin e Serbisë të realizohet nga fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit në kuadër të procesit të vazhdimit të bashkëpunimit rajonal.
“Unë parashoh të takohem me presidentin Vuçiq, deri në fund të shtatorit ose fillim të tetorit në një takim bilateral për shkak të vazhdimit të projektit për bashkëpunim rajonal të cilin e kemi hapur. E dini se na u bashkua edhe Kosova së fundmi, presidenti malazez ishte në takimet e fundit dhe njëri prej anëtarëve të kryesimeve të BeH dhe presidenti i tyre i këshillit nacional, besoj se duhet të kemi lëvizje edhe pse është kriza e koronës. Jemi duke punuar shumë në mënjanimin administrative të barrierave, para së gjithash në vendkalimet kufitare, lidhur me qarkullimin e shpejtë të mallrave, udhëtarëve, gjithçkaje dhe besoj se në këto takime të cilat na presin gjatë periudhës së ardhshme menjëherë do të kemi informacion se edhe nga pala serbe kur do të mund të vazhdojë”, informoi kryeministri gjatë vizitës në zonën industriale në Kumanovë. /TetovaSot