Vetëm marrëveshja që përfshin ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një marrëveshje finale

Nuk e kam as dyshimin më të vogël se në rrethanat aktuale dhe mundësitë reale që na u kanë krijuar funksionaliteti i shtetit të Kosovës dhe fuqizimi i sovranitetit të saj kalon përmes Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë. Hapja e rrugës për një kushtetutë të re do të ndodh vetëm përmes një marrëveshjeje të re me Serbinë, një marrëveshjeje ndërkombëtare e cila do ta shtrojë rrugën për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës. Rrjedhimisht bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë kalon përmes Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë.

Shkruar nga: Valon Murati
  1. Kosova ndonëse shpalli pavarësinë në vitin 2008 nuk u njoh nga Serbia dhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha nga Rusia, Kina si dhe pesë shtetet e Bashkimit Evropian: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja. Konsolidimi i pavarësisë në arenën ndërkombëtare, sidomos anëtarësimi i saj në OKB dhe në BE kalon përmes votës apo së paku abstenimit të këtyre shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, që nga viti 2011 filloi një dialog fillimisht teknik, e më pas edhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE. Ideja ishte që të krijoheshin kushtet që përmes një dialogu me Serbinë të njihej Kosova dhe të krijoheshin kushtet që edhe vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta njohin atë. Sidoqoftë, qasja e dialogut ka qenë e padrejtë dhe pala kosovare shumë pak apo aspak ka ndikuar që kjo qasje të ndryshojë. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar vetëm për Kosovën, serbët në Kosovë dhe rrjedhimisht akomodimin shtesë të tyre në Kosovë. U arritën shumë marrëveshje disa prej të cilave si ajo e krijimit të asociacionit të komunave serbe në Kosovë nuk ka arritur ende në implementohet. Kosova ka elemente të jofunksionalitetit edhe me këtë kushtetutë për shkak të privilegjeve kushtetuese që kanë serbët (e tek të cilët në këto rrethana ndikon Serbia). Shtimi i strukturave të tjera administrative brenda organizimit të saj të brendshëm, vetëm sa do ta rëndonin funksionimin e saj. Në anën tjetër shqiptarët në Kosovën Lindore dhe pozita e tyre fare nuk janë trajtuar në këtë dialog. Dhe ky ishte që nga fillimi një gabim strategjik i palës kosovare.

  1. Kosova është shtet i pavarur dhe në këtë drejtim çështja me Serbinë është e mbyllur. Sidoqoftë disa çështje të marrëdhënieve kanë mbetur të pazgjidhura. Problemet themelore në mes të dy vendeve ishin dhe mbeten për t’u zgjidhur çështja e tri komunave në veriun e Kosovës si dhe ajo e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që gjenden nën Serbi. Lëvizja për Bashkim që në fillim ka menduar se Kosova me Serbinë kanë probleme politike dhe jo teknike andaj edhe duhet që bisedimet të jenë politike.Në këtë funksion është kërkuar që në bisedimet me Serbinë të shtrohet edhe çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe kjo çështje të zgjidhet fillimisht përmes zbatimit të parimit të reciprocitetit në të drejta me serbët në veriun e vendit. Është konstatuar se ky parim duhet të shkojë deri aty sa zgjidhja përfundimtar në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë ripërcaktimi i kufijve në mes të dy vendeve duke u bazuar në të drejtën për vetëvendosje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjëdhe të serbëve në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Kjo e drejtë duhet t’u takojë te dy popujve në këto vise aty ku janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale, shqiptarët me Kosovën dhe serbët me Serbinë.Një zgjidhje e tillë jemi të bindur do të ishte zgjidhja më e drejtë e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e rrjedhimisht do të ishte edhe përfundimi i konfliktit shqiptaro-serb. Me këtë rast do të krijoheshin kushtet që Kosova përfundimisht të funksionalizohej si shtet, të hiqte nga qafa kufizimet që i ka në kushtetutën e saj si trashëgimi e Pakos së Ahtisaarit, përfshirë privilegjet kushtetuese për serbët për ta bllokuar çfarëdo ndryshimi kushtetues në Kosovë. Vetëm me një marrëveshje të re me Serbinë, e cila do të përfshinte edhe ripërcaktimin e kufijve do të krijoheshin rrethanat për funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës në tërë territorin e vet. Rrjedhimisht do të mundësohej ndryshimi i kushtetutës së Kosovës në funksion të krijimit të kushteve për përcaktimin e vullnetit të popullit të Kosovës për raportin me Republikën e Shqipërisë: union, federatë, konfederatë, bashkim klasik, pavarësi me raporte speciale me të apo pavarësi e plotë për Kosovën. Për këtë qëllim Lëvizja për Bashkim që në vitin 2010 e ka hartuar Platformën Politike për Zgjidhjen Përfundimtare të Çështjes Shqiptaro-Serbe (shih në https://levizjaperbashkim.org/assets/docs/platforma-politike-per-zgjidhjen-perfundimtare-te-ceshtjes-shqiptaro-serbe—shqip.pdf).

  1. Përndryshe sot kushdo që proklamon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pa treguar rrugën e ndryshimit të kushtetutës së Kosovës e cila e ndalon bashkimin dhe të cilën nuk mund ta ndryshosh pa votën e deputetëve serbë, qëndron në pozita populiste. Qëndron në këto pozita sepse këtë synim madhor kombëtar e përdor vetëm si parullë politike për konsum politik ditor e elektoral. Nuk e kam as dyshimin më të vogël se në rrethanat aktuale dhe mundësitë reale që na u kanë krijuarfunksionaliteti i shtetit të Kosovës dhe fuqizimi i sovranitetit të saj kalon përmes Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë. Hapja e rrugës për një kushtetutë të re do të ndodh vetëm përmes një marrëveshjeje të re me Serbinë, një marrëveshjeje ndërkombëtare e cila do ta shtrojë rrugën për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës. Rrjedhimisht bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë kalon përmes Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë. Një marrëveshje e tillë do të krijojë kushtet edhe për rënien e agjendave popullsite në botën shqiptare, agjendave të “mëdha kombëtare”, agjendave që kanë përherë Serbinë në rend dite dhe rrjedhimisht do të krijohen kushtet për një politikë ndryshe dhe politikanë të tjerë. Do të vinin në rend të ditës politikanët normal. Atëherë vërtetë mund të flasim për përqendrim në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik. Përndryshe me agjendën e Serbisë të papërfunduar, çdoherë do të mbesim viktimë e politikave populiste në Kosovë, por edhe në vetë Kosovën Lindore. Në anën tjetër ashtu siç kemi ne nevojë të çlirohemi nga tema e Serbisë, ashtu Serbia përfundimisht ka nevojë të çlirohet nga Kosova. Kjo është e domosdoshmetë ndodh nëse Serbia dëshiron të fillojë të frymojë lirshëm si një demokraci e konsoliduar. Çlirimi nga Kosova dhe çështja shqiptare është testi i demokracisë serbe. Duke qenë në rrethana të tilla, te dy popujt dhe shtetet tona nuk duhet ta lëshojmë mundësinë e një marrëveshjeje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

  1. Deri në vitin 2018 nuk dukej se kishte rrethana ndërkombëtare për t’u hapur çështja e ripërcaktimit të kufijve. Andaj insistimi i palës shqiptare në atë fazë do të duhej të përqendrohej në kërkimin e të drejtave të barabarta për shqiptarët e Kosovës Lindore si ato të serbëve në veriun e Kosovës. Mirëpo në vitin 2018 politika amerikane dhe ajo e një pjese të shteteve evropiane hapi mundësitë që nëse palët kanë vullnet politik kjo temë do të mund të hapej. Kjo ishte një mundësi e artë që nuk duhej lëshuar. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që personalisht nuk do ta besoja asnjëherë. Duke qenë se u duk se bartës i këtij procesi do të jetë presidenti Thaçi, klasa politike në Prishtinë, shoqëria civile dhe mediat iu kundërvunë në unison. Ishte më shumë një betejë kundër Thaçit sesa kundër idesë, por dëmi u bë. Ideja u godit duke bërë që ne të humbim një mundësi të artë për t’u futur në bisedime me Serbinë në një moment kur amerikanët kishin interesim të madh ta kryenin këtë proces. Ne injoruam deri edhe letrën e Presidentit Tramp për çështjen e bisedimeve. Interesi i amerikanëve ishte i qartë: përmes zgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë ata e largonin ndikimin rus nga rajoni, qoftë nga Serbia, qoftë nga Kosova dhe kështu krijonin kushte që Serbisë t’i hapej rruga e integrimeve evropiane, ndërsa Kosovës rruga e legjitimitetit ndërkombëtar dhe e integrimeve evro-atlantike.Edhe sot e kësaj dite kundërshtarët e idesë përveç parullave romantiko-folkloristike nuk kanë dal me ndonjë argument racional pse janë kundër një projekti të tillë politik.

  1. Që nga fillimi politika jonë është sjell me dialogun thuajse atë po e bëjmë nga zori sepse po na e kërkojnë miqtë e jo pse është i rëndësishëm edhe për ne, për funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe hapjen e rrugës për përparim e zhvillim të qytetarëve të saj. Kjo qasje ka bërë që në vend se të punohet për një konsensus politik për dialogun, ai të shfrytëzohet për betejën e brendshme politike. Kjo betejë e brendshme politike, dhe qasja refuzuese ndaj dialogut realisht ka rrëzuar dy qeveritë e fundit të Kosovës. Edhe qeveria aktuale një ndër detyrat kryesore do ta ketë dialogun me Serbinë. Por edhe tek kjo qeveri si tek ato parapraket në qasjen ndaj dialogut spikat refuzimi ndaj mundësisë që ata e quajnë “shkëmbim i territoreve”. Në anën tjetër kjo qasjeështë e rrezikshme, sepse përveç që në njërën anëështë një grumbull pikash refuzuese e vijash të kuqe, në anën tjetër krejt besimin në rezultatet e dialogut e ka bartur tek amerikanët e evropianët, por pa ofruar një qasje pro aktive dhe platformë që do të ofronte zgjidhje konkrete të problemeve e jo fontanë dëshirash. Të gjithë e dinë se në dialog do të ketë kompromise, ndërsa politikanët tanë publikun e përgatisin për rezultate maksimale. Do të shkojmë në bisedime thonë e nuk do të lëshojmë asgjë pe dhe do ta marrim njohjen nga Serbia. Në anën tjetër duke parë vendosmërinë amerikane për një zgjidhje politike, dhe qëndrimin tonë pa ndonjë projekt politik që ofron rrugëzgjidhje por refuzues në idenë e ripërcaktimit të kufijve, atëherë ka rrezik se mund të na ofrohet një marrëveshje e cila vërtet mund të ketë brenda këta kufij të Kosovës, por njëkohësisht mund të ketë një autonomi politiko-territoriale për Kosovën e cila do ta bënte Kosovën krejtësisht jo-funksionale. Andaj që të mos arrijmë në pozitën kur ne do të refuzojmë propozimet e aleatëve tanë, e Serbia mund t’i pranojë dhe të vendoset në një pozitë shumë më të favorshme politike, dhe t’i hapet rruga e integrimeve evropiane pa marrë parasysh se a e nënshkruajmë ne apo jo marrëveshjen, politika shqiptare do të duhej që të jetë më pro aktive dhe më e hapur ndaj mundësisë së idesë së ripërcaktimit të kufijve. Vetëm marrëveshja që përfshin ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një marrëveshje finale. Çdo marrëveshje e cila do të përfshinte një autonomi për serbët në Kosovë, qoftë përmes një asociacioni me kompetenca ekzekutive, qoftë përmes një autonomi politiko-territoriale, por edhe qoftë nëse mbetet kjo status-quo, nuk do të jenë zgjidhje përfundimtare në mes të dy vendeve dhe dy popujve. Marrëveshje të tilla do ta kenë të vështirë implementimin dhe nëse implementohen do ta dëmtojnë rëndë funksionimin e Kosovës dhe interesin kombëtar. Mund të vije puna që pas disa vitesh edhe ta kërkojmë ripërcaktimin e kufijve, por atëherë Serbia mund të na vij deri në Ibër dhe ne ta humbim mundësinë të marrim Kosovën Lindore, sepse deri atëherë nuk do të mbeten shqiptarë atje. Kjo do të ishte një papërgjegjësi e madhe e brezittonë për brezat e ardhshëm. Por personalisht kam besim se edhe interesi amerikan është që të kemi një zgjidhje përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb përmes ripërcaktimit të kufijve dhe që ky interes amerikan gradualisht do të bëjë që edhe politika jonë të reflektojë dhe që përfundimisht të vetëdijesohet për rëndësinë e momentit.

Kjo kolumnë është shkruar enkas për PreshevaPRESS / Autori është kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ky opinion pasqyron qëndrimet e tija personale. 

ARTIKUJT E NGJASHËM

Analiza e Andi Bushatit pas deklaratave te presidentit francez pas firmosjes se blerjes se avioneve nga Sebia

PreshevaPRESS

Ahmeti: Lista e përbashkët e shqiptarëve në Luginë do të dëshmonte vetëdijen dhe aftësitë e subjekteve politike

PreshevaPRESS

Život u multikulturalnoj sredini

Bogdan Matić