Punonjësit e urgjencës në Turqi po i ndihmonin të plagosurit të cilët ishin lënduar nga një sulm me raketa të hënën.
Militantët e dyshuar kurdë në Siri kanë hedhur raketa përtej kufirit me Turqinë, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur 10 të tjerë.
Raketat kanë goditur një shkollë të mesme dhe dy shtëpi në qytetin Karkamis, në provincën Gaziantep, si dhe një kamion pranë një porte kufitare turko-siriane. Ministria e Brendshme ka njoftuar se të vdekurit janë një mësues dhe një fëmijë, të cilët u vranë në një lagje.
Njëra nga raketat ra në terrenin e një shkolle, por nuk pati viktima. Sulmet me raketa ndodhën disa ditë pasi Turqia nisi sulme ajrore vdekjeprurëse mbi rajonet veriore të Sirisë dhe Irakut, duke synuar grupet kurde që Ankaraja i konsideron përgjegjëse për një sulm me bombë të 13 nëntorit në Stamboll.
Avionët luftarakë turq sulmuan bazat e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, (PKK), dhe Njësitë e Mbrojtjes të Popullit Sirian, (YPG,) thanë zyrtarët. Autoritetet turke fajësuan për sulmin PKK-në dhe degën e saj siriane YPG-në. Megjithatë, grupet militante kurde kanë mohuar përfshirjen.