Turqia arreston mbi 200 ushtarakë, dyshohen për lidhje me Gylenin

Autoritetet turke kanë dhënë urdhër për arrestimin e 223 pjesëtarëve të stafit ushtarak në pjesë të ndryshme të vendit dhe në Qipron Veriore. Ata dyshohen për lidhje me armikun e presidentit Erdogan, Fetullah Gylen.


Këta persona u arrestuan lidhur me dyshimet për raporte me një rrjet që Ankaraja e akuzon për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016. Personat e kërkuar nga autoritetet vijnë nga 49 provinca të ndryshme të Turqisë dhe nga Qiproja Veriore.

Sipas transmetuesit shtetëror turk, TRT, 100 persona të arrestuar janë nga forcat tokësore, 41 nga forcat ajrore dhe 32 nga forcat detare.

Turqia e akuzon klerikun mysliman, Fetullah Gylen, për organizimin e puçit të dështuar më 15 korrik të vitit 2016. Ai është duke jetuar në ekzil në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999.

Pak më shumë se tri vjet nga ngjarja që tronditi Turqinë, më shumë se 77 mijë persona janë arrestuar dhe po presin të gjykohen, ndërsa 150 mijë shërbyes publik dhe ushtarë janë shkarkuar ose suspenduar përkohësisht nga puna.

Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar numrin e madh të arrestimeve, duke thënë se presidenti Erdogan po e përdor puçin e dështuar si pretekst për t’i shtypur pakënaqësitë.

Në anën tjetër, qeveria turke ka thënë se këto masa janë përgjigje e nevojshme për shkak të kërcënimit të sigurisë, duke u zotuar se do ta shkatërrojë plotësisht rrjetin e Gylenit, shkruan “France24”,

ARTIKUJT E NGJASHËM

Donald Trump drejt fitores në zgjedhje

PreshevaPRESS

Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

PreshevaPRESS

Izraeli: Konfirmohet vrasja e liderit ushtarak të Hamasit, Deif

PreshevaPRESS